Ndahen Demokratët në garën për Senatin Amerikan në Michigan

Kongresistja demokrate Haley Stevens në Michigan ka shokuar skenën politike të shtetit, kur deklaroi sot mbështetjen e saj për kandidatin republikan për Senatin Amerikan, Mike Rogers.

Stevens ishte rivalja e kandidatit demokrat Abdul El-Sayed në zgjedhjet e brendshme partiake (primare). Pas humbjes ajo bëri thirrje që partia të bashkohet rreth kandidatit fitues.

Mirëpo, në javët dhe muajt që vijuan duket se mosmarrëveshjet janë shtuar brenda partisë. El-Sayed është i majtë dhe mbështetet fuqimisht nga Socialistët Demokratë të Amerikës, Stevens i përket një krahu më tradicional. El-Sayed është kritik i fortë i Izraelit, kurse Stevens thotë se kandidati demokrat ka refuzuar kërkesën e saj për të dënuar hapur antisemitizmin e disa mbështetësve të tij.

Çarja mes tyre u bë publike dy ditë më parë, kur kandidati demokrat tha se Stevens nuk ishte e mirëpritur në mitingun e madh të ditës së dielë që do të niste me një pjesëmarrje në një meshë, dhe se duhej të qendronte larg fushatës së tij.

Sot, erdhi përgjigjia nga Stevens, që u shfaq në një shërbesë fetare me republikanin Mike Rogers. El-Sayed fitoi kundër saj me më pak se 1% të votave. Partia mbetet ende shumë e ndarë në Michigan dhe Stevens është vetëm njëra nga drejtuesit demokratë në Michigan që nuk i është bashkuar kandidatit të partisë.

El-Sayed ka hedhur poshtë aludimet se është socialist, madje thotë se megjithë mbështetjen e tyre nuk është anëtar i Socialistëve Demokratë. Ai thotë se fushata e tij ka në qendër të vëmendjes kushtet e jetës, të ekonomisë, arsimit dhe shëndetit të amerikanëve. Çdo temë tjetër është përpjekje për të përbaltur figurën e tij.

Por Rogers, që dikur ka shërbyer në në Ushtrinë Amerikane e ka akuzuar El-Sajedin për racizëm ndaj hebrejve dhe afrikano-amerikanëve, duke aluduar për lidhje të familjes së tij me Vëllazërinë Myslimane në Egjipt si dhe duke përmendur tekste të hershme të kandidatit demokrat që vënë në dyshim pikëpamjet që shpreh sot.   

Rogers ka shërbyer edhe si kongresist, në një zonë në Michigan ku ka shumë shqiptaro-amerikan dhe ka mbështetje të madhe në komunitetin tonë. Gjatë kësaj fushate është takuar disa herë me anëtarë të komunitetit tonë dhe ka vizituar biznese shqiptaro-amerikane.

Anketimet e deritanishme favorizojnë kandidatin e Partisë Demokrate, Abdul El-Sayed, pro gara besohet se do të jetë shumë e ngushtë dhe nuk përjashtohen të papriturat. Demokratët kanë shpresë të marrin në duar Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin në zgjedhjet e të martës. Michigan është një nga shtetet ku ata kanë shpresa të mëdha.

Comment

*