Ndahet nga jeta akademik Luan Omari

Tiranë, 30 tetor 2026 – Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademik Luan Omari, njëri nga figurat e njohura të së drejtës kushtetuese në Shqipëri, njoftoi të enjten Universiteti i Tiranës.

Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe në Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke u bërë njëri nga juristët më të përgatitur të brezit të tij.

Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend.

Ka qenë docent i së drejtës publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i së drejtës kushtetuese, sekretar shkencor dhe më pas zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave. Ai e ka përfaqësuar Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës.

Gjatë jetës së tij akademike Omari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e shkencave juridike, duke u bërë figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe europian.

Omari është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi të drejtën kushtetuese dhe sistemin juridik shqiptar. Ka qenë njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pas viteve ’90, duke vendosur bazat e shtetit demokratik. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të tërë të juristëve që sot mbajnë përgjegjësi të larta në sistemin juridik dhe në jetën akademike të vendit.

Akademia e Shkencave e ka nderuar me Çmimin e Karrierës Akademike në vitin 2016 për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën akademike. Në vitin 2020 ishte dekoruar nga Presidenti i Republikës me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.

Akademik Luan Omari ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e mendimit juridik dhe kulturës kombëtare shqiptare.

(r.m.)

Comment

*