Në komunën e Zubin Potokut janë gjetur mbetje kockore të së paku 23 personave

Prishtinë, 19 gusht 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se në lokacionet ku dyshohej se kishte varre masive, në komunën e Zubin Potokut, sipas vlerësimeve preliminare, janë gjetur mbetje kockore të së paku 23 individëve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, njofton opinionin publik se, në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, në lokacionet e dyshuara, të mërkurën është konfirmuar nga mjeko-ligjorët edhe gjetja e radhës. Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikaur mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në njoftim thuhet se identifikimi i plotë i mbetjeve kockore do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

Prokuroria tha se do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B., të cvilët gjenden në paraburgim. Ata janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Prokuroria SSpeciale e Kosovës, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore shprehën përkushtimin e tyre për “një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit”.

Pas gjetjes së mbetjeve të para kockore në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se mbetjet mortore të gjetura aty mund t’u përkasin 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në këtë zonë më 19 prill të vitit 1999. Ata ishin nisur nga Mitrovica në drejtim të Malit të Zi. Shumica e tyre ishin intelektualë e profesionistë të fushave të ndryshme.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik, pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte. Ato u zhvilluan në tri lokacione të afërta: në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, edhe 1.577 persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë nuk janë gjetur ende.

Autoritetet e Kosovës besojnë se lokacionet ku janë groposur shqiptarët e vrarë gjatë luftës, me qëllim të fshehjes së krimeve të luftës, gjenden në arkivat e ushtrisë e policisë së Serbisë, prandaj kërkojnë me ngulm hapjen e këtyre arkivave. Por, autoritetet serbe kundërshtojnë hapjen e këtyre arkivave.

(r.m.)

Comment

*