Prishtinë, 28 korrik 2026 – Në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut, në një lokacion ku dyshohet se gjendet një varrezë masive prej luftës së fundit në Kosovë, të martën kanë nisur gërmimet.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta, ka konfirmuar se gërmimet kanë niosur me kërkesë të kësaj prtokurorie dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje (ekshumim), autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, ka thënë Luta.
Lokacioni ku po bëhen gërmime e kërkime nga ekipi i po mbahet nën masa të rrepta sigurie. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it gjenden në vendin e ngjarjes.
Gërmimet në Kalludër të Vogël filluan pas njoftimit për arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte. Besohet se arrestimet kanë të bëjnë me krime lufte të kryera në lokacionin ku po zhvillohen gërmimet.
Kalludra e Vogël lidhet me një nga rastet më të rënda të zhdukjes me forcë të civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Më 19 prill 1999, në zonën e Drethit dhe Kalludrës së Vogël ishin rrëmbyer 23 shqiptarë, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shumica prej tyre nga rajoni i Mitrovicës. Për fatin e tyre nuk dihet asgjë as sot e kësaj dite.
Institucionet e Kosovës kanë thënë vazhdimisht se dokumente zyrtare tregojnë për përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim dhe kanë kërkuar hapjen e arkivave për zbardhjen e plotë të rastit, por autoritetet serbe refuzojnë hapjen e arkivave.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar nga Brukseli, si ndëmjetës i dialogut Kosovë – Serbi, që të ushtrojë presion ndaj Beogradit, pork jo nuk ka dhënë ende rezultat. Beogradi përpiqet me çdo kusht të fshehë pjesëmarrjen e ushtrisë në krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
(r.m.)