Nis me sukses të madh viti akademik 2026–2027 i shkollave shqipe “Alba Life” në Staten Island, Brooklyn e Bronx

Nga Keze Kozeta Zylo

Një ditë e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme për komunitetin shqiptar në Amerikë!

Këtë fundjavë u shënua një tjetër hap i bukur për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezi i ri. Të premten në Staten Island dhe Brooklyn, ndërsa të shtunën në Bronx, dyert u hapën për shkollat shqipe, duke nisur vitin e ri akademik dhe duke sjellë së bashku fëmijë, prindër, mësues dhe gjithë ata që besojnë se gjuha jonë është një nga thesaret më të çmuara që mund t’u lëmë fëmijëve tanë.

Të shohësh fëmijët të ulen në bangat e shkollave shqipe “Alba Life” për të mësuar shqip është më shumë se një moment i bukur. Është një mrekulli. Është dashuri për rrënjët, respekt për të parët tanë dhe një premtim se gjuha shqipe do të vazhdojë të jetojë edhe në brezat që rriten larg atdheut.

Çdo fjalë shqip që mësojnë këta fëmijë është një urë që i lidh me Shqipërinë, Kosovën, trojet shqiptare dhe me historinë e familjeve të tyre.

Mirënjohje të veçantë për mësueset Entela, Elona dhe Gresila në Staten Island; Fatlinda dhe Eriselda në Brooklyn; Helena, Migena dhe Anisa në Bronx; si dhe për të gjithë prindërit, organizatorët dhe ata që me përkushtim po bëjnë të mundur që fëmijët shqiptarë në Amerikë të mos e harrojnë gjuhën e nënës.

Mësueset profesioniste i përgatisin nxënësit e tyre me plot vullnet, përkushtim dhe atdhetari, duke sjellë një program të detajuar e të konsoliduar gjatë 20 viteve të “Alba Life”, e cila është bërë promotore dhe një institucion shumë i rëndësishëm kombëtar në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Krenare që “Alba Life” është bërë frymëzim!  Sfidat ndër vite kanë qenë të mëdha dhe në shumë drejtime, por me profesionalizëm, përkushtim dhe atdhetarizëm ia kemi dalë.

Në këtë vjeshtë të bukur, që sapo ka filluar, ne nisëm vitin akademik 2026–2027 me mësues, nxënës, prindër dhe gjyshër të Shkollës Shqipe “Alba Life”, “Ambasadori i Kombit”, pjesë e një prej rrjeteve më të mëdha të shkollave shqipe në diasporë dhe e Familjes së Madhe “Alba Life”.

Ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, na mëson se: “Gjuha është shenja e kombësisë.”

Kjo thënie jehon fuqishëm në mjediset e shkollave shqipe, ku fëmijët mësojnë të flasin, të shkruajnë dhe të ndihen krenarë për rrënjët e tyre shqiptare.

Nxënësit mësojnë histori, kulturë dhe tradita kombëtare, ndërsa mësuesit dhe prindërit punojnë së bashku për të mbajtur të gjallë frymën shqiptare në zemër të Amerikës.

Të jesh para nxënësve nuk është thjesht të jesh mësues. Është të mbjellësh fjalë që një ditë do të bëhen kujtime, dije dhe dashuri për gjuhën shqipe.

Çdo buzëqeshje e tyre, çdo dorë e ngritur, çdo fjalë shqip që mësojnë dhe çdo hap i vogël përpara na mbush zemrën me gëzim e krenari.

Në sytë e tyre shohim të ardhmen, ndërsa në gjuhën që u mësojmë ruajmë një pjesë të shpirtit dhe identitetit tonë.

Sa bekim të jesh përpara tyre dhe të kesh mundësinë t’u përcjellësh dashurinë për shqipen, për kulturën dhe për rrënjët tona!

Të mësosh shqip është të ruash identitetin.

Të mësosh shqip është të ruash kujtesën. Të mësosh shqip është të mbash gjallë një komb.

Së shpejti do të hapen dyert edhe në Queens, Albany dhe Online.

Qoftë ky vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë, të bukur dhe të suksesshëm!

Nuk ka mrekulli më të madhe sesa t’u mësosh fëmijëve gjuhën shqipe.

Është një gëzim i madh të shohësh brezin e ri të mësojë gjuhën e nënës, të njohë rrënjët dhe të ruajë identitetin shqiptar.

Udha e re për këtë vit akademik sapo nisi dhe, natyrisht, mësueset do ta bëjnë gjithçka Dritë, ashtu siç thotë Naim Frashëri: “Dhe Dritë e diturisë përpara do të na shpjerë.”

Gjuha jonë është ashti i kombit. Gjuha jonë është krenaria jonë!

Urime, Familja e Madhe “Alba Life” qe mbrohet nga 7 Kala!

Suksese në vitin akademik 2026–2027!

26 Shtator, 2026

New York

Comment

*