Prishtinë, 21 korrik 2026 – Autoritetet e Kosovës nisën të martën aksionin për shembjen e 11 shtëpive të ndërtuara në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, në zonën e Liqenit të Ujmanit.
Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se objektet ndodheshin ilegalisht në pronë të ndërmarrjes.
Ai tha se pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t’i lironin ato, por pas moszbatimit të kërkesës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nisën zbatimin e vendimit për rrënimin e tyre.
“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.
“Sipas informacioneve që kemi mbledhur, këto shtëpi, përveç njërës, janë ndërtuar gjatë viteve 2019/2020”, shtoi ai.
Policia e Kosovës bëri të ditur se aksioni për asistimin e institucioneve në rrënimin e 11 shtëpive të pushimit pranë Liqenit të Ujmanit është duke u zhvilluar pa probleme.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia po i ofron mbështetje “Ibër-Lepencit” dhe Ministrisë së Mjedisit në zbatimin e vendimit.
Sipas tij, aksioni ka nisur rreth orës 07:00 në zonën e njohur si “Plazhi i Shqiptarëve”, në komunën veriore të Zubin Potokut.
“Deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë problem për t’u theksuar”, deklaroi Elshani për Radion Evropa e Lirë.
Ai konfirmoi se, bazuar në informacionet që posedon policia, është paraparë rrënimi i 11 pushimoreve në këtë lokacion.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një reagim të publikuar më 21 korrik, e përshkroi aksionin si një “akt të paligjshëm dhe terrori të [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”, duke pretenduar se ai është duke u kryer “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj nesh, serbëve”.
Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e tyre vetëm përmes njoftimeve të vendosura në objekte.
Liqeni i Ujmanit konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizim me ujë, prodhim të energjisë elektrike dhe ujitje.


