Operacioni “Ghost Call”: Si u zhvatën viktimat e skemës së mashtrimit me call center?

Tiranë, 17 prill 2026 – Platforma mashtruese përdornin reklama të rreme me personazhe të famshme, si karrem për viktimat e tyre të radhës. Operacioni “Ghost Call” i drejtuar nga Prokuroria e Tiranës ka zbardhur një tjetër skemë mashtruese përmes call center në kryeqytet, e cila dyshohet se u ka zhvatur qytetarëve të huaj mbi 50 milionë euro.

Grupi përdorte platformat online ALHPASCRYPTO, CAPITALMARKET 24 dhe GOLDCAPITAL24, të cilat u identifikuan fillimisht nga autoritetet austriake për shkak se kishin kryer mashtrime të mëdha ndaj qytetarëve në Vjenë dhe zona të tjera të Austrisë gjatë periudhës 15 qershor 2023- 30 korrik 2024.

Sipas vendimit gjyqësor për masat e sigurisë që BIRN e disponon, operatorët shqiptarë i joshën të dëmtuarit me premtime për investime në bursa të cilat nuk ekzistonin. Viktimat e kësaj skeme janë qindra qytetarë nga Austria, Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Greqia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës, viktimat e kësaj skeme mashtroheshin dyfish; fillimisht përmes kërkesave për investime në bursë dhe më pas prej operatorëve që prezantoheshin si përfaqësues të studiove ligjore që premtonin rekuperim të fondeve.

Këta të fundit kërkonin një pagesë fillestare prej 500 eurosh në një llogari në “Boin Baze”. Kjo ishte goditja finale për të dëmtuarit, të cilëve u merreshin dhe ato pak kursime që u kishin mbetur.

Gjykata e Tiranës vendosi të hënën masën e “arrestit me burg” ndaj shtatë personave dhe masa më të lehta sigurie ndaj dy të tjerëve. Gjatë operacionit të koduar “Ghost Call” u arrestuan në kushtet e flagrancës edhe pesë persona të tjerë, të cilët dyshohet se ishin drejtuesit e skemës.

Funksionimi i rrjetit

Lidhur me këtë rrjet të mashtrimit, Gjykata e Tiranës vendosi masat e “arrestit me burg” ndaj të dyshuarve Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj. Ndërkohë, janë lënë në “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” Aida Vokli dhe Ledion Cenaj.

Po ashtu, gjatë kryerjes së operacionit u arrestuan në flagrancë edhe pesë persona të tjerë që dyshohet se kishin rol drejtues në ekipet e përfshira në këtë veprimtari të paligjshme.

Ata janë shtetasit Kristjan Buda, Benard Biba, Kleidi Dyrma, Ema Taip dhe Eno Hana. Nën hetim janë dhe dy shtetas të tjerë.

Prokuroria e Tiranës i akuzon personat e mësipërm për veprën penale të mashtrimit kompjuterik si dhe përdorimin e një rrjeti kompanish për skemën e tyre. Hetimet kanë zbuluar se kompanitë “IOTA Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio” të regjistruara në emër të Marsel Lamit dhe “Upstream creative” dhe “Koppa Network” në pronësinë e Xhoni Hitaj janë të lidhur me njëra-tjetrën si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve.

“Këto call-center funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha…,” citohet në një njoftim të shpërndarë të enjten nga Prokuroria e Përgjithshme, ku shtohet se operatorët pagueshin me rrogë 800 euro në muaj, një pjesë e së cilës jepej cash.

Hetimi ka zbuluar se operatorët ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve, duke synuar tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte.

Si përfitues fundorë të kritopvalutave të këtyre call center janë identifkuar prej autoriteteve austriake shtetasit Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, të cilët gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa kripto dhe më pas i kanë transferuar ato në adresa të tjera kripto. Sipas të dhënave, ka rezultuar se Hoxha kishte përfituar mbi 3.2 milionë USD dhe Agastra 4.8 milionë USD.

Pengesat e hetimit

Pas kërkesës së autoriteteve austriake në vitin 2024, policia e referoi çështjen në SPAK, por dosja u kalua për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Në vendimin për caktimin e masave të sigurisë, evidentohet se në informacionin e mbërritur prej autoriteteve austriake konstatoheshin IP të aktivitetit kriminal.

Prokuroria iu drejtua kompanive të shpërndarjes së internetit, One Albania dhe TIBO Communication lidhur me IP-të e dyshuara. Nga kjo, hetuesit mësuan se njëra prej IP-ve i përkiste një shtetasi me emrin Jose Santos, i cili kishte lënë edhe numrin e telefonit.

Por ky shtetas nuk është gjetur dhe është ngritur dyshimi se gjatë lidhjes së kontratës për furnizimin me internet, ishte përdorur emër fiktiv. Më pas, është gjetur se ky numër ishte i njëjtë me atë të lënë në regjistrin e QKB-së nga shtetasi Eduart Dalla, njëri prej të akuzuarve.

Ndërkohë, për shkak të përgjigjes së paplotë nga ana e One Albania, është kërkuar më shumë informacion nga autoritetet austriake që ka mundësuar të identifikojë IP-të fundore. Në vendimin e gjykatës sqarohet se edhe pas disa kërkesash, nuk janë vënë në dispozicion të dhënat e plota me argumentin se nuk dispononin kapacitete për identifikimin konkret.

Ndihma e autoriteteve austriake ka qenë çelësi i zbulimit të IP-ve që përdoreshin nga rrjeti, duke zbuluar dhe adresa të tjera IP kosovare që ndodheshin në periferi të Tiranës. Ndërkohë, kallëzimet e shtetasve të tjerë austriakë kanë ofruar të dhëna të reja lidhur me plaftormat prej nga janë kontaktuar, si dhe përgjimet dhe vëzhgimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës, kanë bërë të mundur identifkimin e drejtuesve të dyshuar të këtij rrjeti.

(Reporter)

Comment

*