Prishtinë, 15 shtator 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është drejtuar të martën Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë së Re të Kosovës. Ajo ka kërkuar që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme, e cila do të pezullonte vendimarrjen e qeverisë ‘Kurti 4’ deri në vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të zgjedhjes së saj.
Të hënën, PDK-ja i është drejtuar Kushtetueses edhe me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit dhe po ashtu ka kërkuar masë të përkohshme, çka do të pezullohej vendimarrja e organit ligjvënës.
“Sot e kemi kontestuar vendimin e Kuvendit për ta zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, sepse ne konsiderojmë sepse Kuvendi është konstituuar duke e shkelur Kushtetutën”, ka thënë deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, pas dorëzimit të kërkesës në Kushtetuese.
“Ne kemi konsideruar që Kuvendi është konstituuar duke shkelur Kushtetutën e Kosovës. Një Kuvend që është konstituuar në mënyrë jokushtetuese nuk mund të prodhojë institucione kushtetuese. Ne edhe më herët kemi bërë ftesë që të mos procedohet tutje me vendime tjera, përpara se të sqarohet çdo pikëpyetje të”, ka thënë ai.
Gruda ka shprehur bindjen se Gjykata Kushtetuese do të vendosë masë të përkohshme për Kuvenmdin.
“Argumentet tona janë profesionale dhe deri në fund kushtetuese dhe jemi të bindur se do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se në Gjykatë Kushtetuese do të deponohet çdo vendim që merret nga Kuvendi, të cilin PDK-ja e konsideron si të pakonstituuar.
Kryetarja e Kuvendit, Albula Haxhiu, e shpalli të konstituuar Legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës të dielën, ndonëse nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së. Deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në seancë, për shkak se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e votuan kandidaten e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku.
Haxhiu tha se Kryesia e Kuvendit ka kuromin e nevojshëm për vendimarrje, pavarësisht mungesës së nënkryetarit nga radhët e PDK-së, por theksoi se Kuvendi do ta mbështesë cilindo kandidat që do të propozohet nga PDK-ja, kurdo që ajo merr pjesë në seancë dhe e propozin kandidatin apo kandidaten për këtë pozitë.
Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, vlerësoi se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe se konstatimi i shkeljeve nga Gjykata Kusjhtetuese do ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë.
(r.m.)