Përparim Rama u intervistua në Prokurorinë Speciale në cilësinë e të pandehurit

Prishtinë, 30 tetor 2026 – Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar të premten mbi dy orë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se Rama është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në kuadër të hetimeve për rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Në përgjigjen për Telegrafin, Prokuroria ka bërë të ditur se intervistimi është zhvilluar lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Prokuroria ka theksuar se veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me rastin “Arkitekti i Kryeqytetit” është duke i ndërmarrë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pas intervistimit, Rama ka deklaruar se ai ka kërkuar bashkëpunim me Prokurorinë për çështjen e projektit “Arkitekti i Kryeqytetit”, por edhe për çështje të tjera.

“Unë vazhdimisht kam kërkuar bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, dhe për çështje të tjera, përkundër faktit se disa, si kryeministri [Albin Kurti], e të përmendim emra tjerë, që nuk shkojnë [në Prokurori]. Ne jemi të gatshëm gjithmonë të bashkëpunojmë”, është shprehur Rama.

Edhe avokati i tij, Artan Qerkini, ka thënë se Rama ka shprehur gatishmërinë për të sqaruar çdo çështje që mund të jetë objekt i dyshimeve të Prokurorisë.

“Zoti Rama është intervistuar në lidhje me projektin e ‘Arkitektit të Qytetit’. Edhe pse dihet se në këtë rast kemi të bëjmë me politika publike, të cilat në instancë të fundit vlerësohen prej votuesve, zoti Rama ka shfaqur gatishmërinë e tij që, nëse Prokuroria dyshon për aspekte të ndryshme të këtij projekti, të japë sqarimet e nevojshme, në mënyrë që ta vë në dijeni Prokurorinë se çdo gjë në lidhje me këtë projekt ka shkuar sipas ligjit”, ka thënë Qerkini.

Intervistimi i Ramës në cilësinë e të pandehurit nuk nënkupton se ndaj tij është ngritur aktakuzë apo se ai konsiderohet fajtor.

Shërbimi “Arkitekti i Kryeqytetit” është angazhuar në disa projekte të mëdha në Prishtinë, si ishulli urban Arbëri-Pallati i Rinisë, Fshati Olimpik në Bërnicë për Lojërat Mesdhetare 2030, nënkalimi te Sahat Kulla dhe digjitalizimi i trafikut urban.

Dyshimet kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit publik dhe me vlerën e lartë të kontratës prej 12 milionë eurosh, por edhe me konflikt të mundshëm të interesit.

Këto dyshime janë ngritur nga Qeveria e Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka publikuar faktura sipas të cilave Komuna e Prishtinës ka paguar mbi 1 milion euro për shërbime në kuadër të këtij projekti vetëm për dy muaj.

(r.m.)

Comment

*