Peter Thiel ndër mbështetësit e parë të Trumpit dhe investuesit në Facebook, është sot ndër më të pasurit në botë. Miliarderi i teknologjisë u nderua në Berlin me Çmimin Axel Springer.
Ai mund të mos jetë vazhdimisht në qendër të vëmendjes si Donald Trump, Elon Muskose shumë prej miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, por Peter Thiel ka një pretendim të fortë për të qenë një nga figurat më me ndikim në botë, si edhe një nga më të pasurit.
I lindur në vitin 1967 në Frankfurt mbi Main, në atë që atëherë ishte Gjermania Perëndimore, familja Thiel u shpërngul në Shtetet e Bashkuara kur Peter ishte vetëm një vjeç. Familja kaloi gjithashtu gjashtë vjet në Namibinë e pushtuar nga Afrika e Jugut, nga viti 1971 deri në vitin 1977.
Ngritja e mëvonshme e Thiel dhe fama erdhi falë kompanive dhe investimeve të tij në teknologji. Suksesi i tij i parë i madh ishte PayPal,një ofrues pagesash digjitale, ku ishte fillimisht i përfshirë Elon Musk. Më pas, Thiel u bë investitori i parë i jashtëm në Facebook.
Sot ai zotëron gjithashtu aksione në SpaceX të Musk-ut, OpenAI dhe në shumë kompani të tjera. Sipas Forbes, pasuria e tij personale arrin në 35.7 miliardë dollarë (31.1 miliardë euro).
Megjithatë, kompania e tij ndoshta më e rëndësishme është Palantir. Kjo kompani e mbikëqyrjes, inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave ka fituar kontrata qeveritare me vlerë miliarda dollarë për të zhvilluar programe kompjuterike për Pentagonin dhe për Agjencinë Amerikane të Emigracionit dhe Doganave (ICE). Në prill, kompania publikoi një manifest me 22 pika, për të cilin kritikët thanë se përmbante elemente të “tekno-fashizmit”.
Ndikimi në politikë
Thiel mund të konsiderohet po aq me ndikim në politikë sa është në biznes. Dhe kjo nuk vlen vetëm për SHBA-në. Edhe pse disa vende evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Holandën, Francën, Gjermaninë dhe Spanjën, po rishikojnë ose po ndërpresin lidhjet e tyre qeveritare dhe ushtarake me Palantir për shkak të shqetësimeve të sigurisë, kompania mbetet e integruar thellësisht në shumë vende të botës.
Vetë Thiel së fundmi është zhvendosur në Argjentinë, ku raportohet se ka zhvilluar bisedime me presidentin e djathtë të vendit, Javier Milei, ndërkohë që qeveria po propozon një sërë rregulloresh që përfshijnë stimuj për kompanitë e huaja dhe investime në qendra të të dhënave për inteligjencën artificiale (IA).
Mbështetja e hershme për Trump dha rezultat
Thiel ishte një mbështetës i hershëm, dhe më vonë këshilltar, i Donald Trumpit. Ai dhuroi 1.25 milion dollarë për fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2016 dhe foli në Konventën Kombëtare Republikane po atë vit, në një kohë kur Silicon Valley konsiderohej kryesisht me orientim të majtë.
Me përjashtim të një ndërprerjeje midis viteve 2023 dhe 2025, ai ka qenë një donator bujar për fushatat dhe figurat republikane, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance.
Megjithatë, bindjet politike të Thiel nuk janë të lehta për t’u klasifikuar. Ai është përshkruar si një nacionalist libertarian dhe ka shprehur vazhdimisht bindjen se “teknologjia është alternativa ndaj politikës”.
Ai gjithashtu shfaq mosbesim ndaj autoriteteve, rregulloreve dhe elitave liberale. Kjo buron pjesërisht nga zhgënjmi i tij ndaj asaj që ai e konsideron si vendimmarrje joefikase nga politikanët e zgjedhur dhe votuesit.
“Është afër fashizmit,” tha Max Chafkin, autor i një biografie të Thiel të botuar në vitin 2021, për revistën Time. “Ai flet për mënyrën se si kompanitë drejtohen më mirë se qeveritë, sepse kanë një vendimmarrës të vetëm, në thelb një diktator. Ai është armiqësor ndaj idesë së demokracisë. Kjo është e frikshme kur merr parasysh rolin që luajnë kompanitë me të cilat ai ka qenë i përfshirë.”
Këto pikëpamje duket se filluan të dalin në sipërfaqe gjatë kohës së tij në Universitetin Stanford në Kaliforni. Thiel kundërshtoi ideologjinë liberale dominuese në korpusin universitar dhe themeloi “Stanford Review”, një publikim për të shprehur këto bindje alternative, diçka që pasqyron edhe sot kundërshtimin e tij ndaj ideve që etiketohen si “woke”.
Krishterimi, Antikrishti dhe inteligjenca artificiale
Thiel u rrit në një familje thellësisht të krishterë dhe nuk ka dyshim se feja e tij ka ndikuar në jetën dhe karrierën e tij. Kohët e fundit ai e përshkroi veten si një “i krishterë ortodoks me shkronjë të vogël o”, diçka që duket se ndikon në politikën e tij konservatore.
Homoseksualiteti i tij dhe martesa me financierin amerikan Matt Danzeisen mund t’u duken shumëkujt në kundërshtim me këtë orientim fetar. Por kjo nuk është e pazakontë për Thiel.
Kohët e fundit, ai është përqendruar te figura e Antikrishtit, duke mbajtur një seri ligjëratash globale gjatë viteve të fundit. Ndryshe nga figura tradicionale biblike, Thiel e sheh Antikrishtin si një person ose grup që do të sjellë apokalipsin “duke luajtur me frikërat tona ndaj teknologjisë dhe duke na joshur drejt dekadencës me sloganin e Antikrishtit: paqe dhe siguri”.
Ndër ata që ai i ka paraqitur, në mënyrë disi të paqartë, si ushtarë të Antikrishtit janë aktivistja mjedisore Greta Thunberg, të cilën e konsideron si një “luditiste që dëshiron të ndalojë të gjithë shkencën”, si edhe qeveritë që përpiqen të rregullojnë inteligjencën artificiale.
Në korrik, ai akuzoi Papa Leonin XIV se “punon për komunistët kinezë”, pasi papa paralajmëroi për “rrezikun e çnjerëzimit” që mund të shkaktojë inteligjenca artificiale.
Pavarësisht lidhjes së tij të thellë me teknologjinë, Thiel përfiton gjithashtu nga marrëdhëniet e tij me njerëz të fuqishëm, ndër ta Musk, Trump dhe Vance. “Kam ndërtuar miqësi të shkëlqyera gjatë viteve me njerëzit me të cilët kam punuar”, tha Thiel për Washington Post në vitin 2014. “Dhe mendoj se kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e asaj që i mundëson dikujt të ketë sukses afatgjatë në shoqërinë tonë.”
JD Vance: një përpjekje për të siguruar të ardhmen?
Marrëdhënia me JD Vance mund të jetë ajo që Thiel po përdor për të mbrojtur veten dhe interesat e tij të biznesit në të ardhmen, pasi Vance konsiderohet republikani më i mundshëm për të pasuar Trumpin.
Të dy u takuan në vitin 2011 kur Thiel mbajti një ligjëratë në Fakultetin Juridik të Yale. Vance, bindjet fetare dhe politike të të cilit kanë ndryshuar që atëherë, shkroi në revistën e krishterë “The Lamp” se Thiel “sfidoi modelin social që kisha ndërtuar: që njerëzit e paditur janë të krishterë dhe të zgjuarit janë ateistë”.
Thuhet se Thiel më pas u bë një figurë mentori për Vance, përpara se të ndihmonte në afrimin e marrëdhënieve mes Vance dhe Trump, pasi Vance kaloi nga kritik i presidentit në aleat dhe u bashkua me kandidaturën e tij për vitin 2024.
Më e rëndësishmja, Thiel dhuroi 15 milionë dollarë për fushatën e Vance për Senatin amerikan në vitin 2022, shuma më e madhe e dhuruar ndonjëherë për një kandidat të vetëm për Senatin e SHBA-së.
Thirrjet e fundit, të bëra pjesërisht edhe nga drejtues të kompanive të inteligjencës artificiale që ndodhen në pozita të ngjashme me Thiel, për të ngadalësuar ritmin e zhvillimit të IA-së mund të ndikojnë në interesat e tij të biznesit. Megjithatë, karakteri i tij i veçantë, pikëpamjet politike dhe rrjeti i marrëdhënieve kanë bërë që deri më tani ai të jetë gjithmonë një hap përpara.