Piloti kroat që ka shërbyer në KFOR dhe partnerja e tij serbe akuzohen për spiunazh

Zagreb, 22 gusht 2026 – Prokuroria e Shtetit në Qarkun e Splitit ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të akuzuar për spiunazh – pilotit kroat që kishte shërbyer në misionin e KFOR-it në Kosovë, dhe partneres së tij serbe.

Sipas aktakuzës, piloti kroat, J.I., nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022, kur kishte shërbyer në Kosovë, i kishte përcjellë partneres së tij, A.M. (Ana Murganiq), shtetase e Serbisë, informacione të klasifikuara në të cilat kishte qasje gjatë punës së tij si pilot në KFOR. Sipas aktakuzës, ai e dinte se partnerja e tij i mblidhte këto informacione për një shtet të huaj, për një entitet të huaj ligjor dhe për një person që punonte me ta.

Shtetasja serbe A.M. akuzohet se këto informacione të siguruara nga J.I, i kishte përcjellë në disa adresa të huaja.

Të dy të akuzuarit, J.I. dhe A,M., gjenden në paraburgim që nga gushti i vitit të kaluar, kur ishin arrestuar në Kroaci.

Prokuroria në Split i ka propozuar Gjykatës që atyre t;u vazhdohet masa e paraburgimit, për shkak të rrezikut që të arratisen nga Kroacia.

Media kroate Index kishte raportuar se serbja A.M. ua kishte përcjellë informacionet e siguruara nga piloti kroat J.I. anëtarëve të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi. Sipas kësaj medie, informacionet konfidenciale që ia kishte dhënë J.I. kishin të bënin me lëvizjet dhe planet e KFOR-it si edhe me lëvizjen e serbëve në veri të Kosovës.

Mediet kroate raportuan vitin e kaluar se hetuesit kroatë, në bazë të një urdhri gjyqësor, kanë kontrolluar pajisjet e tyre mobile dhe komunikimet, ku janë gjetur mesazhe komprometuese që shpie në dyshime për spiunazh ndërkombëtar.

Po sipas mediave kroate, A.M., e cila asokohe kishte punuar në misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), i kishte transferuar informacionet e klasifikuara përmes platformave të enkriptuara.

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur gatishmëri të ndihmojnë autoritetet kroate për ndriçimin e plotë të rastit. Policia e Kosovës kishte bastisur shtëpinë e serbes A.M., në Mitrovicë të Veriut, ku kishte gjetur një sprej, disa gëzhoja dhe disa fishekë.

NATO kishte deklaruar se i trajton “me seriozitet” këto akuza dhe kishte theksuar se KFOR-i i kushton rëndësi parësore sigurisë së personelit dhe misionit në Kosovë si edhe “integritetit të informacioneve të klasifikuara”.

(r.m.)

Comment

*