Prokuroria e Tiranës nis hetimet për protestuesit e plagosur nga policia

Tiranë, 26 tetor 2026 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të hënën se ka filluar hetime lidhur me rastin e plagosjes së Erjon Vishkullit nga policia me plumb gome në njërin sy si edhe dhjetra raste të tjera të përdorimit joproporcional të forcës nga ana e Policisë së Shtetit.

Hetimi për plagosjen e Vishkullit është regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”, që parashikojnë dënimin maksimal deri në 7 vjet burg.

Prokuroria deklaroi se për rastin e Vishkullit, i cili ndodhet tashmë në Itali për ndërhyrje të specializuar mjekësore, ka administruar pamjet filimike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, është marrë kartela mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe dhe janë kryer e veprimeve në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Sipas prokurorisë, në të njëjtin procedim penal po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa protestuesve të tjerë, pasi ka dyshime për përdorimin joproporcional të forcës nga disa punonjës së Policisë së Shtetit në protesta.

“Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP),” thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Pesë ditë më parë, Prokuroria e Tiranës bëri me dije për BIRN bazuar në një kërkesë për informacion, se kishte regjistruar edhe tre procedime penale të tjerë lidhur me dhunën që policia ka ushtruar ndaj protestuesve gjatë javëve të fundit. Por, ende nuk ka regjistruar asnjë procedim penal ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërkohë që nga ana tjetër janë arrestuar qindra protestues dhe janë proceduar penalisht qindra të tjerë, mes tyre shumë të mitur.

Dhjetra arrestime janë vlerësuar nga Gjykata e Tiranës të paligjshme dhe është udhëruar lirimi i menjëhershëm i të ndaluarve.

Demonstratat, të cilat u paraprinë nga muaj protestash kryesisht paqësore, janë shoqëruar me përleshje, dëmtime të pronës publike dhe private, përdorim të gazit lotsjellës, topave të ujit dhe plumbave të gomës nga policia, si dhe me arrestime të shumta.

Policia ka raportuar për efektivë të plagosur dhe dëmtime të institucioneve, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut dhe të medias kanë ngritur shqetësime për tejkalimin e proporcionalitetit në përdorimin e forcës prej punonjësve të policisë.

(Reporter)

Comment

*