Prishtinë, 29 tetor 2026 – Qindra qytetarë, shumica vajza dhe gra, kanë protestuar për herë të dytë të enjten para Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë.
Protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, ndonëse në polici dhe në prokurori kishte raportuar për rrezikun që i kanosej në familjen e ish-bashkëshortit.
Protestuesit kanë thënë se ky rast nuk mund të mbyllet me pezullimin e kryeprokurores së Pejës dhe prokurores së rastit të Arlinda Zekajt dhe me suspendimin e 11 zyrtarëve policorë në Pejë.
Ata kanë kërkuar shkarkimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve shtetërorë të cilët kanë qenë të obliguar të ofrojnë siguri për viktimën, si edhe dorëheqjet e ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Kërkesat e protestuesve janë lexuar nga Anitë Nikaj, njëra prej organizatoreve të protestave.
“Kërkesat tona janë të qarta, s’duam suspendime, duam shkarkime, burgosje e ndjekje penale”, ka theksuar ajo.
Zyra e Kryeministrit nuk u është përgjigjur kërkesave të protestuesve. Por, ajo ka njoftuar se nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme i ka pranuar raportet për rastin e Arlinda Zekajt. Sipas njoftimit, raporti do të shqyrtohet e analizohet në mënyrë të detajuar plotë për të konstatuar çdo lëshim, neglizhencë dhe përgjegjësi institucionale.
“Së bashku me ministrat përkatës do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Mnistrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dorëheqja e të cilëve po kërkohet nga protestuesit, kanë paralajmëruar se për të gjitha gjetjet dhe veprimet e mëtejme do të njoftojnë të premten në konferencë për medie.
Ndërkaq, në Kuvendin e Kosovës është themeluar një komision hetimor parlamentar që do të merret me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore në rastin e Arlinda Zekajt, si edhe me trajtimin e çështjes së dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në Kosovë.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konstatuar se Policia e Kosovës nuk e kishte dokumentuar ekzekutimin e urdhrit mbrojtës të 7 shtatorit për Arlinda Zekajn.
Sipas gjetjeve të para të IPK-së, urdhri i dytë mbrojtës, i lëshuar më 16 tetor, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor, pas ndërhyrjes së Inspektoratit, i cili kishte pranuar paraprakisht informatë nga vetë e ndjera Zekaj.
IPK-ja ka konstatuar edhe se zinxhiri komandues policor nuk e kishte trajtuar një email të 23 tetorit, përmes të cilit një hetues policor kishte kërkuar vlerësimin e rastit dhe asistencë shtesë. Hetuesi kishte rekomanduar që, gjatë kohës kur Zekaj ndodhej në shtëpi, ajo të vizitohej nga patrullat policore dhe të mbahej komunikim më i shpeshtë me të, për të evidentuar situatën brenda shtëpisë.
IPK ka gjetur dështime në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimeve të gjykatës për çka janë përgjegjëse Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni Policor në Pejë, Nënstacioni policor në Vitomiricë dhe njësitë hetimore në nivel komunal e rajonal.
Gjatë ditës, policia njoftoi se lidhur me rastin jnë suspenduar: u.d. drejtori rajonal në DRP-Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale në DRP-Pejë, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, u.d. shefi i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor. I dyshuari për vrasjen e saj, ish-kunati Albert Sylaj, është arrestuar më 28 tetor. Ish-bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, ishte ndaluar ditën e vrasjes pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Vetëm tri ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës, të cilën e kishte njoftuar se jeta e saj ishte në rrezik.
(r.m.)