Hagë, 16 shtator 2026 – Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë u publikua Përmbledhja e Aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaҫit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit (KSC-BC-2020-06), i cili u shpall nga kryesuesi i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith, sot, më 16 shtator.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, kurse Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim, pasi u shpallën fajtorë për katër vepra penale të korpusit të krimeve të luftës: “arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar”, “trajtim mizor“, “torturë” dhe “vrasje të paligjshme”.
Në aktgjykim thuhet se trupi gjykues ka konstatuar se të katër të akuzuarit (Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi) ishin penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar kundër 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 peronave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Trupi gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi Prokurori i Specializuar nuk ka arritur të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer sulm i përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile. Të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.
Gjykatësi Charles Smith, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, tha se trupi gjykues ka marrë vendime në bazë të parimit të përgjegjësisë individuale të secilit nga të akuzuarit, për vepra kriminale të veçanta.
“Dhomat e Specializuara përballin me përgjegjësi penale persona, vetëm për krime që ata i kanë kryer individualisht. Në këtë çështje gjyqësore, akuzat e paraqitura nga Prokurori i Specializuar kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve”, tha Smith.
“Gjatë marrjes së vendimit në lidhje me këtë aspekt, Trupi Gjykues u udhëhoq nga parimi se roli i tij është të vlerësojë provat për të përcaktuar të vërtetën dhe për të siguruar që drejtësia të vihet në vend. Siç ka thënë burri i shtetit dhe kryeministri britanik Benxhamin Dizraeli: ‘Drejtësi është e vërteta në veprim’”, shpjegoi ai.
Smith, gjatë leximit të aktgjykimit, tha se trupi gjykues ka konstatuar se të katër të akuzuarit janë përgjegjës zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët.
“Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit – z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi – janë penalisht përgjegjës, përmes kontributit të qenësishëm të tyre në ndërmarrjen kriminale të përbashkët, për krimin e luftës të ndalimit arbitrar (Pika 3) të kryer kundër 385 personave, trajtimit mizor (Pika 5) të kryer kundër 49 personave, torturës (Pika 7) të kryer kundër 303 personave, dhe vrasjes së paligjshme (Pika 9) të kryer kundër 96 personave.
Në aktghykim thuhet se trupi gjykues ka konstatuar se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, gjatë konfliktit në Kosovë, kanë dhënë “kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh”.
Përmbledhja e Aktgjykimit
(r.m.)