Qindra shqiptarë janë mbledhur në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Prishtinë / Hagë, 15 shtator 2026 – Qindra shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga Kosova janë mbledhur sonte në Hagë, pak metra nga ndërtesa e Gjykatës Speciale të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ata janë bashkuar në mbështetje të çlirimtarëve, me besimin se çlirimtarët do të lirohen nga të gjitha akuzat e prokurorisë, të cilat i konsiderojnë të pabazuara në fakte e prova, madje edhe të pakuptimta, duke parasysh faktin se krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë janë kryer nga forcat militare e paramilitare të Serbisë, ndërsa pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë luftuar për çlirimin e Kosovës.

Organizatorët e tubimit me moton “Ora e pritjes”, udhëheqësit e platformës “Liria ka Emër”, në serinë e tubimeve të solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së, kanë theksuar se lufta çlirimtare e Kosovës është e pastër si loti dhe se akuzat ndaj çlirimtarëve janë trillime të faktorëve keqdashës të Kosovës.

Në Hagë, mes mbështetësve të çlirimtarëve, kanë shkuar shumë miq, bashkëluftëtarë dhe bashkëpartiakë të tyre.

Vendimi i trupit gjykues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të shpallet në seancën e Gjykatës Speciale që do të fillojë në orën 10:00.

Në sallë do të marrë pjesë një numër shumë i kufizuar i familjarë dhe të afërmve të çlirimtarëve, si edhe një numër shumë i vogël i gazetarëve. Gjykata Speciale ka thënë se në salla ku do të zhvillohet seanca nuk ka kapacitet për më shumë pjesëmarrës.

(r.m.)

Comment

*