Rama shmang pyetjen e gazetarit amerikan për zyrtarët e dyshuar për korrupsion: S’të takon ty të thuash kush është i korruptuar

Tiranë, 2 nëntor 2026 – Kryeministri Edi Rama është përballur me pyetje të drejtpërdrejta për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të tij gjatë intervistës me gazetarin amerikan Andrew Callaghan të platformës Channel 5.

Gazetari ia kujtoi rastin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimeve për lidhjet e dyshuara me Ergys Agasin. Sipas akuzave të prokurorisë, Hyseni kishte pasur komunikime të shpeshta me Agasin, i cili ishte në kërkim.

Rama nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes, por reagoi duke thënë: “Nuk e di pse i përzien gjërat. Çfarë lidhje ka kjo tani me investimin në bregdet?”

Gazetari e ndërpreu për të sqaruar se ai vetë nuk po e quante askënd të korruptuar, por po u referohej personave të përballur me akuza dhe hetime për korrupsion. Ai e pyeti Ramën nëse përgjegjësia për raste të tilla duhet parë vetëm si përgjegjësi individuale.

Pjesë nga dialogu:

Rama: “Mendoj se nuk të takon ty të thuash kush është i korruptuar dhe kush nuk është…”

Gazetari: “Nuk po them unë kush është i korruptuar. Po flas për persona të arrestuar nën dyshimet për korrupsion. Për shembull, drejtuesja e shërbimeve të inteligjencës, më pak se dy javë më parë, u vu nën masë sigurie për shkak të një marrëdhënieje me një person të lidhur me krimin e organizuar.”

Rama: “Nuk e di pse i përzien gjërat. Çfarë lidhje ka kjo tani me investimin në bregdet?”

Gazetari: “Po i përgjigjem asaj që thatë për faktin se nuk po i quaj unë njerëzit të korruptuar. Po flas për persona të përballur me akuza për korrupsion. A mendoni se kjo është thjesht çështje e përgjegjësisë individuale?”

(BalkanWeb)

Comment

*