Rubio mbron lëvizjen e trupave amerikane në Evropë, pas shqetësimeve të aleatëve të NATO-s

Helsingborg (Suedi), 22 maj 2026 – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mbrojtur mënyrën se si Uashingtoni po rivendos forcat ushtarake nëpër botë, mes paqartësive nëse një kontingjent amerikan i madhësisë së një brigade do të tërhiqet nga Polonia.

Rubio i bëri këto komente më 22 maj, në margjinat e një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi.

Takimi i ministrave u mbizotërua nga paqartësitë rreth forcave ushtarake amerikane në Evropë, si dhe nga një stërvitje e madhe bërthamore ruse në Bjellorusi dhe kërcënimet e reja të Moskës ndaj vendeve baltike, anëtare të NATO-s.

Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka nxjerrë në pah po ashtu mospajtime të thella, pasi NATO-ja ka kundërshtuar përfshirjen në konfliktin gati tremujor.

Më herët këtë muaj, Trump njoftoi se 5.000 trupa amerikane do të tërhiqeshin nga Gjermania. Përplasjet publike të Trumpit me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, javët e fundit – veçanërisht për luftën me Iranin – ngritën pyetje nëse vendimi ishte marrë për ta ndëshkuar Merzin.

Por, Pentagoni më pas tha se po e shtynte një dislokim të planifikuar prej rreth 4.000 trupash në Poloni dhe po i pezullonte planet për dislokimin e një batalioni me raketa tokësore “Tomahawk” në Gjermani.

Këto lëvizje shqetësuan Varshavën – ku armiqësia ndaj Rusisë është e thellë – dhe aleatë të tjerë të NATO-s, të cilët prej kohësh kanë shprehur shqetësime për përkushtimin e administratës Trump ndaj aleancës.

Megjithatë, në një postim në rrjetet sociale më 21 maj, Trump njoftoi se Uashingtoni do të dërgonte edhe 5.000 trupa shtesë në Poloni. Ai përmendi “zgjedhjen e suksesshme” të presidentit polak, Karol Nawrocki, i cili mori detyrën në gushtin e kaluar, si arsyen kryesore.

Kjo, sipas raportimeve, i zuri në befasi zyrtarët e Pentagonit.

Duke folur para gazetarëve në Suedi më 22 maj, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, tha se niveli i trupave amerikane në Poloni do të mbetet afërsisht i njëjtë me atë aktual.

Sikorski falënderoi Trumpin për “njoftimin e tij se rotacioni, prania e trupave amerikane në Poloni, do të ruhet pak a shumë në nivelet e mëparshme”.

I pyetur nga gazetarët për trupat amerikane, Rubio tha se Uashingtoni vazhdimisht po vlerëson dislokimin e forcave nëpër botë. Ai tha se vendime të tilla merren vetëm mbi baza teknike, e jo për arsye politike.

Rubio po ashtu kritikoi anëtarët e NATO-s që nuk iu bashkuan përpjekjeve në luftën kundër Iranit.

“Qëndrimi i presidentit është, sinqerisht, zhgënjim me disa prej aleatëve tanë në NATO dhe me reagimin e tyre ndaj operacioneve tona në Lindjen e Mesme”, tha ai.

 Ai sugjeroi se kjo çështje do të ngrihet në korrik, kur krerët e shteteve të aleancës – përfshirë, me gjasë, edhe Trumpin – do të takohen në Turqi.

“Kjo duhet të trajtohet. Nuk do të zgjidhet apo trajtohet sot”, shtoi ai. “Kjo është diçka për t’u diskutuar në nivel liderësh”.

Takimi në Helsingborg – një qytet port në Suedi, përballë Danimarkës, po ashtu anëtare e NATO-s – është një nga takimet e fundit të nivelit të lartë para samitit të Ankarasë.

“Evropa po mbahet në errësirë”

Një diplomat i lartë evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, paralajmëroi se mungesa e komunikimit nga Uashingtoni po minon besimin e aleancës.

“Gjëja më e keqe është fakti se kontinenti duket se po mbahet në errësirë për shkallën e kësaj tërheqjeje”, tha diplomati, duke vënë në dukje se shtetet në vijën e parë, si vendet baltike, po kanë vështirësi në planifikim.

“Efektiviteti i NATO-s mbështetej në idenë se ajo ishte e pathyeshme”, tha diplomati. “Tani, si në një divorc, filloni t’i shihni çarjet”.

Zyrtarët e administratës kanë këmbëngulur se lëvizjet janë përshtatje të përkohshme dhe jo tërheqje strategjike.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha së fundi se fokusi i administratës mbetet te “pavarësia dhe sovraniteti evropian”.

Anëtarët baltikë të NATO-s janë shqetësuar gjatë javës së fundit për një seri kërcënimesh të përshkallëzuara nga Moska lidhur me fluturimet e dronëve ukrainas. Ukraina ka intensifikuar fushatën e saj me dronë me rreze të gjatë kundër caqeve ruse; disa prej tyre janë rrëzuar ose janë qëlluar në Estoni dhe Letoni.

Këtë javë, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë e akuzoi Letoninë se planifikon t’i lejojë Ukrainës të lëshojë dronë nga territori i saj.

 

Akuza nxiti reagime të forta nga aleatët evropianë. Lituania e akuzoi Rusinë për pengimin e dronëve ukrainas dhe për përpjekje të qëllimshme që ata të hyjnë ose të rrëzohen në hapësirën ajrore të vendeve baltike. Ndërkohë, një avion luftarak rumun, në patrullë të NATO-s, rrëzoi këtë javë një dron mbi Estoni.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Suedi, Rubio tha se çështja e kërcënimeve ruse ndaj vendeve baltike është “shqetësuese”, duke shtuar se Uashingtoni nuk dëshiron që incidentet të çojnë në një konflikt më të gjerë.

“Po e ndjekim me kujdes. Natyrisht, jemi të angazhuar me aleatët tanë në NATO për këtë çështje… Nuk duam që kjo të çojë në një konflikt më të gjerë, që mund të sjellë diçka shumë më të keqe”, tha ai.

Rusia po ashtu nisi këtë javë një stërvitje të madhe bërthamore në Bjellorusi, në të cilën u përfshinë mijëra trupa, qindra avionë, anije dhe sisteme raketore. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se në stërvitje po përdoren edhe koka bërthamore taktike – një masë e pazakontë.

Rubio si i dërguar “i qëndrueshëm”

Për shumë zyrtarë evropianë, prania e Rubios ofron një shkallë qetësimi. Ai shihet gjerësisht në Bruksel dhe në kryeqytetet e Evropës Lindore si një mbështetës më tradicional i NATO-s dhe i sigurisë evropiane sesa disa figura të tjera në administratën Trump.

Përfaqësuesi amerikan, Don Bacon, republikan dhe mbështetës i fortë i NATO-s, i tha Radios Evropa e Lirë se Rubio luan rol kyç në stabilizimin e marrëdhënieve. Bacon tha se shpreson që Rubio ta rikonfirmojë përkushtimin e Uashingtonit ndaj mbrojtjes kolektive, ndërsa do t’u bëjë thirrje aleatëve evropianë të rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Bacon ka argumentuar vazhdimisht se aleancat mbeten thelbësore për interesat e sigurisë së SHBA-së dhe ka paralajmëruar kundër izolacionizmit, në kohën e kërcënimeve në rritje nga Rusia, Kina dhe Irani.

Këto shqetësime u përsëritën më 20 maj gjatë seancave dëgjimore në Senat për konfirmimin e kandidatëve të Trumpit për ambasadorë në disa vende evropiane.

Michael Kavoukjian, i nominuar për ambasador në Norvegji, e përshkroi Oslon si “sytë dhe veshët e aleancës në Arktik” dhe u zotua të forcojë bashkëpunimin ushtarak dhe atë të inteligjencës kundër aktivitetit në rritje të Rusisë dhe Kinës.

Ndërkohë, Eric Wendt, i nominuar për ambasador në Shqipëri, theksoi rëndësinë e ndarjes së barrës brenda NATO-s dhe tha se do ta shtyjë Tiranën të përmbushë objektivat e aleancës për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në 5 për qind të bruto prodhimit vendor deri në vitin 2035.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*