Rusia thotë se sulmi ukrainas la pa ujë dhe rrymë Krimenë e okupuar

Moskë, 24 tetor 2026 – Një sulm ukrainas shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Krimenë e pushtuar të shtunën, ndërsa një valë sulmesh me dronë goditi juglindjen e Rusisë, sipas autoriteteve ruse.

“Si pasojë e një incidenti të ndodhur në rrjetet kryesore të energjisë elektrike jashtë rajonit tonë, të shkaktuar nga një sulm armik me dron, janë vendosur kufizime në furnizimin me energji elektrike dhe ujë”, shkroi në Telegram Sergei Aksyonov, kreu i Gadishullit të Krimesë, që është instaluar nga Moska.

Ai nuk specifikoi numrin e familjeve të prekura në Krime, ku jetojnë më shumë se 2.5 milionë banorë.

Gadishulli, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, shpesh është objektiv i sulmeve ukrainase.

Një sulm tjetër ukrainas, në një pjesë të rajonit verilindor të Harkivit që kontrollohet nga Rusia, la të vrarë të paktën tre persona dhe plagosi rëndë një tjetër të shtunën, sipas autoriteteve të mbështetura nga Moska.

“Tre civilë u vranë dhe një grua u plagos rëndë si pasojë e një sulmi me dron ukrainas ndaj një makine në fshatin Piski, në rajonin e Harkivit”, shkroi në Telegram Vitaliy Ganchev, një guvernator lokal i instaluar nga Rusia.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjatë natës kishte rrëzuar gjithsej 616 dronë ukrainas në më shumë se 20 rajone të vendit.

Disa persona u plagosën nga rrëzimi i copëzave të dronëve, të cilat shkaktuan edhe zjarre, sipas autoriteteve lokale ruse.

Një valë tjetër sulmesh me dronë dëmtoi infrastrukturën industriale në Togliati, në brigjet e lumit Vollga, në juglindje të Rusisë, sipas kryetarit të qytetit, Ilya Sukhikh.

Autoritetet ruse thanë se tre trupa u nxorën nga rrënojat pas një sulmi të premten në mbrëmje ndaj një fabrike në Oriol, që gjendet rreth 370 kilometra në jugperëndim të Moskës.

Pesë persona të tjerë u plagosën rëndë dhe ndodhen në kujdes intensiv, sipas shërbimeve të emergjencës.

Nga ana ukrainase, Forcat Ajrore thanë se Rusia kishte lëshuar të paktën 126 dronë drejt Ukrainës gjatë natës, nga të cilët 101 u rrëzuan.

Dy persona u plagosën në kryeqytetin, Kievin, sipas shërbimeve të emergjencës.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*