Beograd, 18 korrik 2026 – Analisti amerikan Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka deklaruar se nisja e dialogut strategjik midis SHBA-së dhe Serbisë është një “hap i madh”, por ka shtuar se ai nuk mund të parashikojë “çfarë do të dalë” prej tij. Megjithatë, ai e cilëson këtë dialog si “një arritje të madhe parazgjedhore” për Vuçiqin.
“Mendoj se është mjaft befasuese të organizohet diçka të tillë vetëm pak muaj para zgjedhjeve. Kjo tregon qartë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Vuçiçin, i cili, ndër të tjera, ishte ankuar ashpër se amerikanët po përpiqeshin të mbështesnin një revolucion me ngjyra kundër tij”, ka thënë Serwer për medien serbe N1, transmeton Danas.
Serwer ka thënë se Uashingtoni do të përpiqet ta kthejë Serbinë kah Perëndimi, prandaj duket se po i mbyll sytë përballë sjelljeve të Vuçiqit, përfshirë rolin e Beogradit në tensionet në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë.
“Duket se ata [zyrtarët amerikanë] janë të gatshëm të shpërfillin gjëra të tilla si rritja e shtypjes dhe sjellja autokratike e Vuçiqit, roli i Beogradit në planifikimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës, si edhe në sulmin ndaj anëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës dhe rrëmbimin e tre policëve shqiptarë në veri të Kosovës”, ka thënë Serwer.
Por, sipas Serwerit, Uashingtoni e ka parasysh “kapacitetin” destabilizues të Serbisë në Ballkan.
“Uashingtoni nuk dëshiron në Ballkan asgjë më shumë se stabilitet dhe e ka parasysh faktin se Beogradi ka kapacitet për të destabilizuar situatën”, është shprehur ai.
“Kjo është arsyeja pse ai [Uashingtoni] është i gatshëm ta shpërfillë sjelljen e Vuçiqit në politikën e brendshme dhe të përpiqet ta bindë atë të bashkëpunojë në çështjet ndërkombëtare, në mënyrë që ta pengojë të bëjë atë që mund të bëjë çdo ditë – ta destabilizojë situatën në veri të Kosovës dhe në Republikën Srpska, e ndoshta edhe në Malin e Zi”, ka shtuar Serwer.
Analisti i njohur amerikan ka thënë se beson se Bashkimi Evropian është bërë më i ashpër, ndërsa Amerika është bërë “disi më pak e ashpër” ndaj Serbisë. Prandaj, sipas tij, Vuçiq tani do të mbështetet më shumë te amerikanët.
“Mendoj se pikërisht për këtë arsye Vuçiqi do të mbështetet më shumë te amerikanët, me shpresën se kjo do t’i shtyjë evropianët të mbajnë një qëndrim më të butë”, ka shtuar ai.
(r.m.)