Shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi: Jemi thellësisht të shqetësuar për incidentet e dhunshme në disa qendra votimi

Beograd, 25 tetor 2026 – Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, tha se delegacioni është thellësisht i shqetësuar për incidentet e dhunshme të raportuara në një sërë qendrash të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.

Andreas von Beckerath u bëri thirrje të gjithë akterëve të përfshirë në procesin zgjedhor “të ruajnë qetësinë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga dhuna e provokimet”, ndërsa institucioneve kompetente u ka kërkuar “të garantojnë sigurinë e të gjithë atyre që janë të përfshirë në procesin zgjedhor”.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për incidentet e dhunshme të raportuara në një sërë qendrash të votimit. Qytetarët serbë duhet të kenë mundësinë ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt. U bëjmë thirrje të gjithë akterëve që ta ruajnë qetësinë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga dhuna e provokimet, ndërsa institucioneve kompetente u kërkojmë të garantojnë sigurinë e të gjithë atyre që janë të përfshirë në procesin zgjedhor”, ka shkruar ai në platformën X.

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi i ka shprehur këto shqetësime pas raportimeve se në shumë qendra të votimit ka pasur incidente të dhunshme dhe parregullsi të ndryshme.

Cesid dhe Crta, dy organizatat që janë marrë me vëzhgimin e procesit zgjedhor kanë raportuar se në shumicën e rasteve në incidente ishin të përfshirë mbështetës të Partisë Përparimtare të Serbisë të Aleksandar Vuçiqit.

Në orët e mbrëmjes në hapësirën para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë, në Beograd, ka filluar grumbullimi i mbështetësve të Vuçiqit. Druhet se ata mund të provokojnë incidente serioze në rast të disfatës së Vuçiqit.

Sipas sondazheve të zhvilluara para zgjedhjeve, Lista e Studentëve, e cila përbën opozitën reale të partisë së Vuçiqit, ka hyrë e barabartë në garën zgjedhore.

(r.m.)

Comment

*