Shpëtim Tim Qorraj kandidat për në Parlamentin e Nju Jorkut

Nga Keze Kozeta Zylo

Sot në Staten Island, në Qendrën e Komunitetit Shqiptar, patëm kënaqësinë të ishim mes miqsh dhe bashkëkombësish në një mbrëmje fundraising në mbështetje të Shpëtim (Tim) Qorraj.

Liderë të shumtë të organizatave shqiptare dhe amerikane morën pjesë për të shprehur mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij. Ai u prezantua para pjesëmarrësve me respekt dhe mirësjellje nga aktivisti i njohur, z. Ibrahim.

Fjalimi i Shpëtimit ishte i fuqishëm dhe emocionues. Si bir i një heroi të UÇK-së,

Mustafë Qorraj, foli me krenari për rrënjët e tij shqiptare, për sakrificën e familjes dhe për vlerat që ka sjellë me vete në Amerikë.

Ai foli gjithashtu për punën që dëshiron të bëjë për Staten Island dhe për përgjegjësinë që merr ndaj komunitetit ku jeton.

Ajo që më la përshtypje sot ishte vizioni i Shpëtimit për komunitetin ku jeton dhe rrit familjen e tij te mrekullueshme se bashku me zonjen e nderuar dhe fisnike Katylyn. 

Ai premtoi për një Staten Island me më shumë mundësi për familjet, me banesa më të përballueshme, transport dhe infrastrukturë më të mirë, si dhe më pak pengesa burokratike për bizneset e vogla.

Këto momente janë një dëshmi e bukur e lidhjes së fortë shqiptaro-amerikane. Ne shqiptarët e Amerikës kemi ndërtuar ura mes historisë dhe së ardhmes, mes rrënjëve shqiptare dhe ëndrrës amerikane. Fëmijët dhe brezat tanë duhet ta njohin dhe ta mbajnë gjallë këtë trashëgimi, ndërsa njëkohësisht të jenë qytetarë aktivë të Amerikës.

Kush është Shpëtim Qorraj?

I lindur në Kosovë dhe i vendosur në Amerikë, ai ka ndërtuar jetën e tij në Staten Island si sipërmarrës, profesionist i pasurive të paluajtshme dhe veprimtar i komunitetit. Ka studiuar drejtësi në Universitetin e Prishtinës dhe ka kryer master në të drejtën penale. Është bashkëshort, baba dhe një njeri i angazhuar në jetën e komunitetit ku jeton.

Për mua, historia e tij ka edhe një dimension shumë të veçantë shqiptar. Shpëtimi është biri i heroit të UÇK-së, Mustafë Qorraj. Kjo trashëgimi familjare e sakrificës është pjesë e historisë që ai mbart me vete në Amerikë.

Sot, ai kandidon për Asamblenë e Shtetit të New York-ut në Distriktin 64 dhe në fjalimin e tij foli për punën që dëshiron të bëjë për Staten Island, familjet, bizneset dhe komunitetin ku jeton.

Si shqiptare dhe si pjesë e Diasporës, është emocionuese të shohësh një bir të Kosovës që sjell me vete historinë e familjes, dashurinë për rrënjët dhe dëshirën për të kontribuar në Amerikë.

Kjo është edhe forca e lidhjes shqiptaro-amerikane: të mos harrojmë nga vijmë, ndërsa me dinjitet ndërtojmë të ardhmen aty ku jetojmë.

Dhe një thirrje për komunitetin tonë: informohuni, merrni pjesë në jetën qytetare dhe ushtroni të drejtën tuaj të votës. Zëri i çdo shqiptaro-amerikani ka rëndësi.

Votoni Tim Qorraj!

26 shtator, 2026

Staten Island, New York

Comment

*