Bruksel, 14 korrik 2026 – Shqipëria ka hedhur sot një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, duke mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në, nga gjithsej 33 kapituj: Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitulli 30 (Marrëdhëniet me Jashtë).
Presidenca irlandeze e Bashkimit Evropian e përgëzoi Shqipërinë, ndërsa ditën e sotme e cilësoi si ditë historike për zgjerimin e BE-së,
“Konferenca Ndërqeveritare e Shqipërisë sapo ka përfunduar, duke mbyllur zyrtarisht 3 kapituj të negociatave dhe duke e çuar drejt fundit këtë ditë historike për zgjerimin e BE-së. Presidenca e BE-së e përgëzon Shqipërinëpër këtë arritje të madhe dhe pret me padurim të punojë më tej në procesin e anëtarësimit”, shkroi presidenca irlandeze e BE-së, në platformën X.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në përfundim të takimit ndërqeveritar, në konferencën e përbashkët me Komisioneren e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi mbylljen e tre kapitujve të parë si hap të rëndësishëm përpara. Ai theksoi se ky është vlerësim se Shqipëria po ecën përpara dhe se reformat po japin rezultat.
“Ajo çfarë ndodhi tani shënon vërtet një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE. Sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë. Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate. Se e sotmja është e rëndësishme edhe sepse thekson një mesazh mjaft të rëndësishëm të ‘Epokës së re’. Shqipëria jep rezultate, BE jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe BE reagon për këtë”, deklaroi Rama, transmeton Top Channel.
Ndërsa Komisionerja Marta Kos përsëriti thirrjen e Brukselit se Shqipëria duhet të vijojë me reformat.
“Ky është një hap i ndërmjetëm që do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë të thellohen. Inkurajojmë që të vazhdohet progresi në sistemin e drejtësisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit”, tha ajo.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës kishte të bënte edhe me protestën antiqeveritare që po zhvillohet në Tiranë. Marta Kos tha se me qeverinë shqiptare është rënë dakord për të shfuqizuar Ligjin për Investimet Strategjike dhe Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
“Lidhur me projektin specifik, mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Edhe përpara se të nisnin këto protesta kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e Mbrojtura, gjithashtu do të shfuqizohej ligji për investimet strategjike dhe këto ndryshimet do të duheshin bërë për të mbyllur negociatat për kapitullin 27 që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimin e klimës dhe do të inkurajoja autoritetet siç dëgjova që do ta bëjnë këtë gjë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi zyrtarja e lartë e Brukselit.
Rama ndërhyri sërish. Ai tha se qeveria e drejtuar prej tij ka rënë dakord për shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, ndërsa Ligjin për Zonat e Mbrojtura e cilësoi si shumë të mirë.
“Ligji për Investimet Strategjike do të anulohet, ndërsa ligji për Zonat e Mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi, është një ligj që kemi punuar shumë fort për ta hartuar. Është ligji i parë në vend për zonat e mbrojtura, sepse nuk kishim një të tillë më parë”, deklaroi Rama.
(r.m.)