Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Potoçari, 11 korrik 2026 – Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit janë varrosur mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Ceremonia e varrimit kolektiv u udhëhoq nga kreu i Bashkësisë Islame të Bosnje e Hercegovinës, Husein Kavazoviq.

“Detyra jonë nuk është vetëm të vajtojmë. Detyra jonë e shenjtë është të kujtojmë dhe ta themi me zë të lartë të vërtetën, kur të tjerët do të donin që ne të heshtim. Harrimi do të ishte një krim i ri ndaj atyre që nuk janë më”, tha ai.

Përfaqësuesit e autoriteteve lokale dhe shoqatave të familjarëve të viktimave po ashtu folën në ceremoninë përkujtimore, duke paralajmëruar se gjenocidi paraqet një përpjekje për të fshirë faktet juridikisht të vërtetuara.

Nënkryetarja e Shoqatës së Lëvizjes së Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, Kada Hotiq, tha se familjet kanë kërkuar për tri dekada të vërtetën dhe mbetjet mortore të më të dashurve të tyre.

Viktima më e re që u varros ishte Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar ishte Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Mbetjet e tyre mortore u gjetën vite pas luftës në varreza masive.

Banori i Srebrenicës, Almir Barakoviq, varrosi vetëm tre eshtra të babait të tij, Murizit, të cilat u gjetën në tri varreza masive. Kjo, sipas tij, dëshmon për përmasat e krimit dhe zhvendosjen sistematike të trupave dhe mbetjeve mortore të të vrarëve.

Gjenocidi në Srebrenicë është krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Anëtari i Presidencës boshnjake, Denis Beqiroviq, tha se ngjarjet në Srebrenicë ishin të planifikuara në detaje.

“Ekzekutimet masive nuk ishin rezultat i një veprimi spontan. Përkundrazi, gjenocidi ishte planifikuar me vetëdije dhe në hollësi, dhe u krye në mënyrë brutale. Ushtria dhe policia e Republikës Sërpska, me urdhër të udhëheqjes politike të asaj kohe, kryen gjenocid”, tha Beqiroviq.

Ai shtoi se “gjenocidi nuk do të kishte qenë i mundur pa Serbinë fqinje, të udhëhequr në atë kohë nga Sllobodan Millosheviqi”.

“Serbia dhe regjimi i saj i atëhershëm u shpallën përgjegjës, sepse mund ta kishin parandaluar gjenocidin, por nuk e bënë. Gjenocidi kundër boshnjakëve ndodhi para syve të mbarë botës. Po e them se, nëse nuk e ruajmë të vërtetën për të kaluarën tonë, nuk do të kemi as të tashme e as të ardhme”, tha ndër të tjera Beqiroviq.

Në Serbi, ndërkaq, shkrimtari Vlladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në vendin ku do të duhej të mbahej ngjarja, tashmë e anuluar, në Beograd u shfaqën mesazhe për Ratko Mlladiqin.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se sot është koha për të treguar respekt për viktimat boshnjake të Srebrenicës.

“Edhe unë po e bëj këtë. Gjithmonë do ta bëj. Për dallim nga të tjerët, ne tregojmë respekt dhe gjithmonë përkulemi para viktimave, e kemi obligim, sepse kështu tregojmë se jemi njerëz”, tha ai.

Në Kosovë po ashtu janë përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Ceremonia u organizua nga ish-nënkryetarja e Kuvendit, Emilija Rexhepi, e cila porosit se gjenocidi nuk mund të relativiziohet e as harrohet.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, deklaroi se nuk mund të ketë drejtësi dhe paqe pa të vërtetën. Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, porositi se mohimi i gjenocidit i largon autorët nga përgjegjësia.

Në Potoçari të Bosnjës morën delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Sarajeva përcolli arkivolet e dhjetë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.782 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*