Sveçla: Serbia duhet të izolohet derisa të shkarkohet ministrja Paunoviq

Prishtinë, 18 korrik 2026 – Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga faktorët ndërkombëtarë izolimin e Serbisë derisa presidenti Aleksandar Vuçiq të ndërmarrë masa ndaj ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, për deklaratën e saj fashizoide.

Paunoviq, në një intervistër për medien “Kurir”, ka deklaruar se  po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, ajo do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën.

Sveçla ka thënë se reagimi i deritashëm i Bashkimit Evropian ka qenë i butë dhe ka theksuar se ndaj autoriteteve serbe duhet të merren masa të forta konkrete.

“Unë mendoj se reagimi ka qenë i butë. Do të duhej izolimi i Qeverisë së Serbisë derisa ajo të ndërmarrë masa ndaj pjesëtarëve të saj për gjuhën dhe sjelljen e tyre në raport me popullin shqiptar dhe standardet evropiane”, ka deklaruar Sveçla për A2News, të shtunën. 

Sveçla ka theksuar se deklaratat e ministres serbe cenojnë vlerat themelore të Perëndimit, prandaj nuk mund të kalojnë vetëm me dënime verbale. Ai ka thënë se Serbia duhet të izolohet derisa presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e shkarkon ministren Paunoviq,

“Një deklaratë e tipit ‘kjo gjuhë nuk është e pranueshme për Evropën’ nuk mjafton. Minimumi që pritet nga Vuçiqi është shkarkimi i zëvendëskryeministres dhe ministres, si dhe nisja e procedurave për ndjekje penale ndaj saj”, ka thënë ai.

Sveçla ka shpjeguar se ai e ka shpallur ministren Paunoviq person “non grata” në Kosovë duke vlerësuar se deklaata e saj përbën cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Cilido që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës nuk është i mirëseardhur në Kosovë. Pa hezitim kam ndërmarrë këtë hap dhe një veprim të tillë do ta ndërmarrim sa herë të jetë e nevojshme për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

(r.m.)

Comment

*