Thaçi dhe të tjerët dënohen me 41 muaj burgim efektiv për pengim të drejtësisë

Hagë, 17 nëntor 2026 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot u shpall aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe katër të tjerëve të akuzuar për pengim të administrimit të drejtësisë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu, u dënuan më 41 muaj burgim efektiv dhe një muaj burgim me kusht, ndërsa ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim pasi u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Gjykata tha se ka gjetur se Thaçi kishte zbuluar informacione konfidenciale për dëshmitarë gjatë vizitave që kishte pranuar në paraburgim në vitin 2023. Sipas aktgjykimit, ai kishte përdorur vizitorët për t’u përcjellë disa dëshmitarëve udhëzime se si të dëshmonin në procesin e tij për krime lufte.

Thaçi u shpall i pafajshëm për tentativën për pengim të personave zyrtarë përmes veprimit të përbashkët me Kilajn, por u shpall fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, pasi i kishte zbuluar Kilajt informacione konfidenciale për dëshmitarë.

Thaçi u shpall i pafajshëm edhe lidhur me një marrëveshje të pretenduar për kontaktimin e tre dëshmitarëve, pasi nuk u gjetën prova të mjaftueshme për këtë.

Ky dënim i Thaçit do të ekzekutohet veçmas nga dënimi në rastin për krime lufte, në të cilin ai ishte dënuar me 25 vjet burgim.

Prokuroria kishte kishte kërkuar që Thaçi të dënohej me 6 vjet burgim, kurse mbrojtja kishte kërkuar që Thaçi të lirohej nga të gjitha akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Të dy aktgjykimet ndaj Thaçit janë të shkallës së parë dhe mund të apelohen, si nga Prokuroria ashtu edhe nga nga mbrojtja.

Bashkim Smakaj e Isni Kilaj (lart), Hajredin Kuçi e Fadil Fazliu (poshtë)

Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj u dënuan me nga 12 muaj burgim. Të dy u shpallën fajtorë për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës.

Gjykata tha se ka konstatuar se Fazliu ia kishte përcjellë dëshmitarit Rrustem Mustafa udhëzime të Thaçit lidhur me dëshminë, ndërsa Smakaj kishte marrë udhëzime me shkrim për dëshminë e Bislim Zyrapit dhe ishte takuar me të. Dënimet e tyre u konsideruan të shlyera me kohën e kaluar në paraburgim.

Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat. Gjykata konstatoi se Thaçi i kishte dhënë udhëzime lidhur me dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, por nuk u provua se Kilaj kishte ndërmarrë veprime për t’ia përcjellë ato.

Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht në periudhë prove prej një viti, pasi u shpall fajtor mosbindje ndaj gjykatës. Gjykata konstatoi se Kuçi ia kishte dërguar dëshmitarit Rrustem Mustafa një mesazh, në kundërshtim me urdhrin që ndalonte kontakte të tilla.

Kuçi u shpall i pafajshëm lidhur me një marrëveshje të pretenduar për kontaktimin e tre dëshmitarëve, pasi nuk u gjetën prova të mjaftueshme.

Gjykata theksoi se pengimi i detyrave zyrtare gjatë një procesi gjyqësor përbën sulm ndaj integritetit të sistemit të drejtësisë. Prokurorja e specializuar, Kimberly Ëest, e mirëpriti aktgjykimin dhe u zotua të vazhdojë hetimet dhe ndjekjet penale për pengim të drejtësisë.

(r.m.)

Comment

*