Pragë, 20 maj 2026 – Gjatë dy ditëve të fundit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ngritur vazhdimisht mundësinë që armëpushimi me Iranin të prishet nga sulme të reja ushtarake amerikane. Komentet e tij janë analizuar me shumë kujdes nga ekspertë dhe politikëbërës.
Në një postim në Truth Social më 18 maj, Trump tha se udhëheqësit e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe i kishin kërkuar ta shtynte një “sulm të planifikuar ushtarak”, i cili ishte paraparë për 19 majin, në mënyrë që t’i jepej më shumë kohë diplomacisë.
Më 19 maj, ai deklaroi se sulmi mund të kryhet “të premten, të shtunën, të dielën, ndoshta në fillim të javës së ardhshme”, duke rritur kështu edhe më shumë retoriken ndaj Iranit.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë (REL) disa orë më vonë, kongresisti Don Bacon, republikan në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se sulme të tjera mund të jenë vërtet të nevojshme.
“Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Mendoj se forca ushtarake është e nevojshme”, tha ai.
Bacon mbështeti idenë që Kongresi t’i autorizojë sulmet e tjera, një propozim që kaloi votimin e parë procedural në Senat po atë ditë.
Senatori Lindsey Graham, një aleat i afërt i Trumpit që votoi kundër idesë, është ndër ata që duket se anojnë drejt më shumë veprimeve ushtarake.
Pas komenteve të Trumpit më 19 maj, ai shkroi në rrjetet sociale se “regjimi [iranian] ka pasur kohë me muaj të tërë për të arritur marrëveshje, por mua më duket qartë se ata po luajnë lojëra”.
Admirali Brad Cooper – kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, që mbikëqyr forcat amerikane në gjithë Lindjen e Mesme – tha në një seance dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Kongresit amerikan se “detyra jonë është të jemi gati, dhe ne jemi”.
Dilema strategjike
Por, analistët që folën për REL-in thanë se, ndonëse mund të ketë një shtysë të re për ta thyer ngërçin e tanishëm me Iranin, dilema strategjike e krijuar nga përballja në Gjirin Persik nuk ka ndryshuar.
“Një bllokadë ndaj naftës që del nga Gjiri dhe një bllokadë ndaj materialeve që hyjnë në Iran nuk mund të vazhdojnë pafundësisht”, tha për REL Mark Cancian, këshilltar i lartë në Departamentin e Mbrojtjes dhe Sigurisë pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Nuk ka dyshim që administrata po kërkon një rrugëdalje. Ata duan shumë ta përfundojnë konfliktin”, shtoi ai.
Danny Citrinowicz, hulumtues i lartë për Iranin në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare me bazë në Izrael, tha se kjo gjendje nxjerr në pah disa dinamika të rëndësishme rajonale.
Sipas tij, paralajmërimi i Iranit ndaj shteteve të Gjirit Persik duket se po funksionon, pasi qeveritë e rajonit po llogarisin gjithnjë e më shumë se as kapacitetet e tyre ushtarake dhe as fuqia amerikane nuk mund ta ndalojnë një kundërpërgjigje të madhe iraniane.
Gjatë luftës, shtetet e Gjirit mbajtën barrën kryesore të sulmeve iraniane, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe u goditën më shumë se edhe vetë Izraeli, i cili ishte drejtpërdrejt i përfshirë në luftë.
“Po rritet pranimi në gjithë rajonin se regjimi iranian i ka mbijetuar fushatës së tanishme dhe se veprimet shtesë ushtarake mund të mos e përmirësojnë në mënyrë thelbësore panoramën strategjike”, shkroi ai.
Citrinowicz tha se vendimi i Trumpit për t’i anuluar sulmet e reja më 18 maj “duket më shumë si një shtyrje taktike sesa një ndryshim strategjik”, sepse në mungesë të një “kompromisi kuptimplotë” në bisedimet e paqes, “e njëjta dilemë ka të ngjarë t’i rikthehet presidentit Trump me edhe më shumë intensitet”.
Diplomacia përballet me pengesa
Ky vlerësim u mbështet edhe nga Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, i cili i tha Radios Farda të REL-it se mund të ketë njëfarë afrimi në çështjet dytësore.
Ai përmendi veçanërisht sinjalin e ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në samitin BRICS javën e kaluar, sipas të cilit Teherani mund të jetë i gatshëm ta dërgojë rezervën e tij të uraniumit të pasuruar në 60 për qind në një vend të tretë, ndoshta në Rusi.
Megjithatë, Uashingtoni vazhdon të kërkojë që uraniumi të dërgohet në Shtetet e Bashkuara.
Por, në çështjet themelore: programin bërthamor në përgjithësi dhe fatin e Ngushticës së Hormuzit, dallimet vazhdojnë të jenë të mëdha.
Sipas Vaezit, bllokada amerikane ndaj porteve iraniane nuk ka gjasa të jetë instrumenti vendimtar që përkrahësit e saj në Uashington kishin imagjinuar. Kur ajo u vendos në prill, disa parashikuan se Irani do të dorëzohej brenda pak ditësh, një parashikim që doli të jetë i gabuar.
Për shkak se Republika Islamike nuk heziton t’ia bartë barrën ekonomike qytetarëve dhe mund ta ruajë kontrollin e brendshëm përmes shtypjes, Vaezit tha se madje as kolapsi ekonomik nuk do të sillte patjetër kapitullim politik nga Teherani.