Ukraina sulmon sërish depot e kompanisë Wildberries në Rusi

Pragë, 22 korrik 2026 – Ushtria ukrainase ka sulmuar depot e kompanisë më të madhe të shitjeve online në Rusi, Wildberries. Ky është sulmi i tretë brenda javës, teksa Kievi po vazhdon të zgjerojë fushatën e tij të sulmeve me rreze të gjatë veprimi në përpjekje që ta detyrojë Moskën që të negociojë.

Drejtuesja dhe pronarja e kompanisë, Tatyana Kim, tha se ndërtesat në qytetet jugore të Krasnodarit dhe Nevinomiskut janë goditur nga sulmet ruse. Autoritetet lokale thanë se të paktën dhjetë persona janë plagosur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi sulmin, duke theksuar se ukrainasit shënjestruan qendra logjistike “që janë të përfshira në furnizimin e ushtrisë ruse me komponentë të dronëve, pajisje për navigim dhe pajisje të tjera”.

Fotografitë dhe videot e publikuara në internet shfaqën shtëllunga tymi mbi zonën ku gjenden depot e kompanisë Wildberries.

Sulmet e fundit ndaj kësaj kompanie janë pjesë e një vale sulmesh të kryera ditëve të fundit, gjatë së cilës dronët ukrainas kanë goditur objektet e saj në rajonet e Moskës dhe Volgogradit. Si pasojë e këtyre sulmeve, tetë punëtorë janë vrarë.

I cilësuar shpesh si ekuivalenti rus i Amazon-it, Wildberries e nisi veprimtarinë si një shitës online i veshjeve nga katalogët evropianë. Që atëherë, kompania është zgjeruar në një platformë tregtare ku shitës të ndryshëm ofrojnë një gamë të gjerë produktesh.

Këto zhvillime vijnë në kohën kur Kievi po i intensifikon sulmet thellë brenda territorit rus territorit rus ndaj infrastrukturës energjetike dhe ushtarake, duke goditur objektiva deri në 1.000 kilometra larg kufirit të Ukrainës.

Të cilësuara nga presidenti Zelensky si “sanksione me rreze të gjatë” ndaj Moskës, këto sulme kanë shkaktuar mungesa të karburanteve në mbarë Rusinë, duke nxitur pakënaqësi në mesin e qytetarëve rusë, të cilët deri më tani kryesisht kishin qenë paprekur nga lufta, që tashmë në vitin e saj të pestë.

Përveç depove të kompanisë Wildberries, Zelensky tha më 22 korrik se Ukraina kishte shënjestruara edhe një depo nafte dhe një cisternë brenda territorit rus, duke shtuar se Moska “duhet të detyrohet të lëvizë drejt diplomacisë”.

“Është plotësisht e drejtë që po e kthejmë luftën në shtëpi, në Rusi. Paqja është e domosdoshme dhe Ukraina ia ka paraqitur palës ruse të gjitha propozimet e saj”, shkroi ai në Telegram.

Megjithatë, të dyja vendet mbeten shumë larg negociatave. Kremlini mban qëndrimin e tij të ashpër dhe nuk po ofron asnjë kompromis për kontrollin e rajonit kyç lindor të Ukrainës, Donbas, ndërsa vazhdon të kryejë sulme ajrore të përditshme në të gjithë vendin.

Vetëm më 22 korrik, forcat ushtarake ukrainase raportuan se Rusia kishte lëshuar gjatë natës 216 dronë dhe katër raketa. Sulmet vranë të paktën një person në qytetin port jugor të Odesës dhe plagosën të paktën pesë të tjerë në Kiev, përfshirë tre fëmijë.

Sipas autoriteteve lokale, gjatë sulmit u dëmtuan ndërtesa banimi, zyra dhe depo.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*