Prishtinë, 11 shtator 2026 – Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar gjatë viteve të fundit dhe aktualisht mbetet përgjithësisht e qëndrueshme.
“Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit. Pas rritjes së tensioneve dhe dhunës në vitin 2023, përfshirë sulmet e pajustifikueshme kundër paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan, situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme”, ka thënë gjenerali Ulutash, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin.
Ai ka bërë të ditur se NATO-ja ka nisur një proces për optimizimin e pranisë së saj gjatë vitit të ardhshëm, me synimin që misioni të mbetet i përshtatshëm për detyrat dhe t’u përgjigjet zhvillimeve në fushën e sigurisë.
“Prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht që nga viti 1999 për të garantuar që misioni të mbetet i përgjegjshëm ndaj mjedisit të sigurisë në zhvillim”, ka deklaruar ai.
Ulutash ka folur edhe për çështjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë dhe për praninë e KFOR-it në këtë urë. Ai ka thënë se KFOR-i nuk ka mandat të vendosë për hapjen e kësaj ure.
“KFOR‑i nuk ka mandat të përcaktojë nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo çështje i takon Bashkimit Evropian dhe institucioneve përkatëse në Kosovë, pasi KFOR‑i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”, ka thënë ai.
Gjenerali Ulutash ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes. Ai ka theksuar se ky mision “vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në kuadër të përgjegjësive të tyre përkatëse në fushën e sigurisë”.
(r.m.)