Rektorati i Universitetit të Prishtinë po e shqyrton mundësinë e përballjes ligjore me kompaninë Elsevier, e cila e administron platformën shkencore Scopus, në të cilën ky universitet paraqitet si universitet i Serbisë.
Universiteti i Prishtinës synon të nisë betejë ligjore ndaj kompanisë Elsevier, e cila e administron platformën shkencore Scopus, ku ky universitet paraqitet si universitet të Serbisë.
Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, Rektorati ka bërë të ditur se, pavarësisht komunikimeve të vazhdueshme me përfaqësuesit e Elsevier-it dhe përpjekjeve për korrigjimin e të dhënave, problemi ende nuk është zgjidhur në mënyrë të përhershme.
Megjithatë, UP-ja nuk ka specifikuar se cilat veprime ligjore po shqyrton dhe nëse ka vendosur për nisjen e ndonjë procedure konkrete.
“Përveç Universitetit, në trajtimin e kësaj problematike janë përfshirë edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Holandë. Meqë përpjekjet e deritanishme nuk kanë sjellë një zgjidhje të përhershme, Universiteti po shqyrton edhe mundësitë ligjore për mbrojtjen e interesave të tij dhe sigurimin e pasqyrimit të saktë të të dhënave”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Javën e shkuar, KOHA raportoi se platforma ndërkombëtare “Scopus”, e cila indekson punimet shkencore dhe mundëson vlerësimin e autorëve, revistave dhe ndikimit të kërkimeve akademike, në shumë raste i regjistron studiuesit kosovarë si pjesë të Serbisë.
“Edhe pse identifikimi i pasaktë nuk do të thotë domosdoshmërisht që publikimet nuk indeksohen apo nuk i atribuohen Universitetit, ai mund të ndikojë në saktësinë e statistikave dhe analizave sipas shteteve. Për këtë arsye, korrigjimi është i rëndësishëm jo vetëm për përfaqësimin e drejtë institucional, por edhe për pasqyrimin objektiv të kontributit shkencor të Kosovës në nivel ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Megjithatë, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, nuk shpreh pritje që veprimet ligjore të UP-së të sjellin zgjidhje për këtë problem, pasi thotë se ajo varet nga çështje si anëtarësimi i Kosovës në OKB, njohja nga të gjitha vendet e BE-së apo edhe pranimi në Këshill të Evropës.
“Ky është padyshim një problem sepse edhe i rriten meritat Serbisë dhe i zvogëlohen meritat Kosovës. Është edhe problem politik, është edhe problem i ndjenjës së përkatësisë dhe krenarisë kombëtare, prandaj po është problem shumë i madh për ne kështu siç është, por është i parregullueshëm tash derisa të rregullohet statusi i Kosovës”, ka thënë Rexhaj.
Përderisa njohësit e arsimit thonë se njohja nga Scopus e hulumtimeve të shkencëtarëve nga Kosova si kontribut i Serbisë lidhet me sistemin e kodeve shtetërore që mirëmbahen nga OKB-ja, ku Kosova nuk është anëtare, në Ministrinë e Arsimit kanë theksuar se po bëhen përpjekje diplomatike për ndryshimin e kësaj situate.