Tiranë, 14 nëntor 2026 – Në Tiranë të shtunën ka vazhduar protesta studentore kundër qeverisë, të cilës i janë bashkuar edhe shumë qytetarë të pakënaqur me qeverisjen e vendit nga qeveria e Edi Ramës.
Protesta ka filluar në orën 14:00, siç është paralajmëruar nga organizatorët. Protestuesit janë tubuar më së pari para Ministrisë së Arsimit, prej nga kanë marshuar drejt godinës së Kryeministrisë, duke kaluar Rrugës së Durrësit, Rrethrrotullimit te Zogu i Zi, kryqëzimit të 21 Dhjetorit dhe Unazës së Vogël të kryeqytetit.
Mediet në Tiranë raportojnë se edhe të shtunën turmës së protestuesve u janë bashkuar edhe shumë qytetarë të revoltuar nga mënyra e qeverisjes së deritashme të vendit. Midis tyre janë parë edhe anëtarë dhe zyrtarë të partive opozitare, ndonëse organizatorët e protesës studentore distancohen plotësisht nga klasa politike aktuale, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë.
Para se të fillonin marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë vendosur në rrethojën e Ministrisë së Arsimit posterë dhe afishe që shenjëstrojnë qeveritarë të korruptuar dhe policinë e Shtetit, e cila akuzohet për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.

Gjatë marshimit, në Rrugën e Durrësit, te Zogu i Zi dhe te 21 Dhjetori pa pasur edhe disa incidente të vogla. Disa prej protestuesve ua kanë vënë zjarrin koshave të mbeturinave dhe i kanë shkulur disa barriera anësore të rrugës, për të bllokuar qarkullimin e automjeteve. Në zonën e 21 Dhjetorit disa protestues i kanë demoluar edhe disa tabela të reklamave në trotuaret përgjatë rrugës.

Gjatë marshimit, protestuesit ka brohoritur vazhdimisht parulla kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, si edhe kundër ish-kryeministrit Sali Berisha. Dy figurat politike kryesore të 30 viteve të fundit akuzohen për keqqeverisje, për abuzim me pushtetin dhe për korrupsion e keqpërdorim të buxhetit të shtetit. Sikurse edhe gjatë protestave të tjera, ata vazhduan me thirrjet “Rama në burg” dhe “Berisha në burg” e të tjera.

Pas marshimit disa orësh nëpër rrugët e kryeqytetit, protestuesit janë grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe para ndërtesës së Kuvendit dhe ndërtesës së Kryeministrisë, ku ishin vendosur forca të shtuara të policisë.

Disa prej protestuesve kanë tentuar të hapin dyert e godinës së Kuvendit. Akti ka hasur në reagimin e pjesëtarëve të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë, çka ka shkaktuar reagimin e protestuesve si edhe të qytetarëve të tjerë të rastit në Bulevard. Reagimi i policisë është shoqëruar me thirrjet “Arrestoni Belinda Ballukun!”, “Mbroni qytetarët dhe jo pushtetarët!”, etj.
Raportohet se rreth 700 efektivë të policisë ishin të angazhuar të shtunën për ruajtjen e rendit e sigurisë gjatë protestës, e cila ka zgjatur mbi 5 orë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që të bashkohen përsëri në protestë të mërkurën, në orën 14:00
Javën e kaluar organizatorët kanë vendosur që protesta antiqeveritare të mbahen dy ditë në javë: të mërkurën dhe të shtunën.
Ata kanë thënë se protesta do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, i cili e përjashton katëgorikisht mundësinë e dorëheqjes.
(r.m.)