Vritet nga policia i dyshuari për sulmin në Paradën e Krenarisë në Berlin

Berlin, 26 korrik 2026 – I dyshuari për sulmion ndaj turmës gjatë Paradës së Krenarisë, Christopher Street Day, në Berlin, Abdul B., u vra gjatë operacionit policor, pas orësh të tëra të kërkimit.

Policia e Berlinit, nërpërmjet një njoftimi në X, tha se Abdul B., u vra në lagjen Spandau, të dielën, rreth orës 18:00.

Sipas njoftimit, Abdul B. i sulmoi policët me një armë të ftohtë dhe njësia speciale policore e Berlinit e qëlloi me armë.

Prokuroria Federale, e cila e konfirmoi vdekjen e Abdul B., njoftoi se i ka marrë përsipër hetimet për rastin.

Sipas hetimeve paraprake, i pandehuri pasi hyri me furgon në turmën e njerëzve që merrnin pjesë në Paradën e Krenarisë, sulmoi kalimtarë të tjerë me armë të ftohta të tipit hanxhar.

Prej sulmit e humbi jetën një grua dhe u lënduan 29 persona të tjerë, disa prej tyre rëndë

Abdul B., 21-vjeçar, i lindur në Gjermani e me prejardhje libaneze, ishte klasifikuar si “islamist i rrezikshëm” në nëntor të vitit 2025, kur ishte arrestuar në aeroportin e Berlinit.

Policia i konsideron “persona të rrezikshëm” ekstremistët për të cilët beson se mund të kryejnë akte të dhunshme në çdo moment.

Abdul B. i kishte bërë tre muaj në burg në Liban, sepse ishte përpjekur të udhëtonte drejt Sirisë për t’iu bashkuar organizatës terroriste “Shteti Islamik” (ISIS). Më pas ai u ishte dorëzuar autoriteteve gjermane.

Në maj të vitit 2026 ai u dënua me një vit e dhjetë muaj burgim, për përgatitjen e një vepre penale terroriste. Për këtë vepër prokuroria kishte kërkuar tre vjet burgim për të. Gjykata kishte vendosur ta kthente dënimin me burgim me burgim me kusht, për shkak të moshës së re të Abdul B., me kusht që ai të merrte pjesë në një program të socializimit dhe të mos kryente vepra  të tjera penale.

Babai i Abdul B. ka shprehur keqardhje për aktin e të birit. Ai ka thënë se Abdulit i ishte “shpërlarë truri” nga ekstremistë islamikë.

(r.m.)

Comment

*