Vuçiq e akuzon gjeneralin Ulutash për hapjen e Urës së Ibrit: “Këtë po e bën ai turku…”

Beograd, 18 gusht 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kundërshton hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, i cili e ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë.  Ai ka thënë se sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, do t’i kërkojë që kjo urë të mos hapet për qarkullimin e automjeteve.

Vuçiq e ka akuzuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash, për vendimin që KFOR-i t’ia dorëzojë gradualish Policisë së Kosovës kontrollin e qarkullimit në Urën e Ibrit.

“Këtë po e bën ai turku, komandanti i KFOR-it. Do t’i shkruaj Mark Ruttes sot. Shpresoj se do të më përgjigjet dhe do ta pranojë kërkesën time të mos e bëjë këtë. Do t’i shkruaj sot apo nesër. Për mua është marri e madhe dhe zhgënjim. Kjo tregon për nervozizmin që i ka kapluar, se nuk dinë si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë një Kosovë të pavarur”, ka thënë ai të martën.

Vuçiq, siç duket, e ka përdorur në mënyrë dykuptimore emërtimin “turk” – për të shprehur përkatësinë etnike të Gjeneralit Ulutash dhe për të shprehur qëndrimin fyes e përbuzës ndaj tij. Në folklorin serb, shprehja “turqin” (turk) ka kuptim fyes që nënkupton një njeri mashtrues, të pabesë, të pamoralshëm, të ndyrë…

Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se e ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë. KFOR-i ka thënë se vendimi për dorëzimin të kontrollit te Policia e Kosovës është marrë në kuadër të procesit për zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Bashkimi Evropian, pasi është njoftuar me vendimin, i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ofrojë garanci për të gjithë qytetarët.

KFOR-i ka njoftuar se Policisë së Kosovës do t’i bartet edhe përgjegjësia për sigurinë e Manastirit të Deçanit.

(r.m.)

Comment

*