Vuçiq e pranon humbjen në zgjedhje, në Beograd nis festa e qytetarëve

Beograd, 25 tetor 2025 – Kandidati i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) për kryeministër dhe ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranoi humbjen e listës së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Në bazë të mostrës, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore, e cila do të ketë mes 135 dhe 140 mandate, ndërsa ne rreth 105 mandate”, tha Vuçiq.

“Ne kemi rreth 1.720.000 vota, ndërsa ata rreth 2.200.000”, tha ai.

Qindra qytetarë janë mbledhur në një rrugët në qendër të Beogradit, ku janë ndezur flakadanë dhe dëgjohen boritë e automjeteve.

Në shtabin e Listës Studentore “Studentët fitojnë” ka nisur festa. Kandidatët e kësaj liste, së bashku me studentët, po këndojnë dhe po brohorasin “Fitore”.

“Kurrë më tiranë në vendin tonë”, deklaroi Illija Srdanoviq, i pari në Listën Studentore.

Kandidati i Listës Studentore, ish-basketbollisti Dejan Bodiroga, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vendbanimet e tyre, të mbështesin vëzhguesit e kësaj liste, t’i ndjekin zhvillimet dhe të ndihmojnë që çdo votë të mbrohet në mënyrë paqësore dhe me dinjitet.

“Sonte na duhet që e gjithë Serbia të jetë aty ku votoi. Serbia nuk është në Beograd, Serbia është në Serbi”, u tha Bodiroga gazetarëve.

Ai përsëriti thirrjen e mëhershme të studentëve në rrjetet sociale drejtuar të gjithë qytetarëve të Beogradit që të mos grumbullohen në vendet ku është vërejtur prani e shtuar e policisë dhe e personave pa uniformë.

“Të sigurt, të qetë dhe me dinjitet deri në fund”, tha Bodiroga.

Ai theksoi se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar me mbylljen e vendvotimeve, pasi pasojnë numërimi i votave, hartimi i procesverbaleve dhe dorëzimi i materialit zgjedhor te komisionet lokale të zgjedhjeve.

“Pas një dite të tillë dhe një pjesëmarrjeje të tillë, nuk duhet të lejojmë që dikush, në orët e fundit, të rrezikojë atë për të cilën kemi luftuar kaq shumë”, tha Bodiroga.

Studentja Sonja Simonoviq tha se Lista Studentore ka nisur numërimin e votave dhe se do të ketë rezultate gjatë mbrëmjes.

“Ky është një moment historik dhe një pjesëmarrje historike. Sipas të dhënave të fundit që kemi, kanë votuar më shumë se 4.350.000 qytetarë”, tha ajo. 

Ndërkohë, mbështetësit e Vuçiqit që ishin mbledhur në kampin “Çacilend”, kryesisht të veshur me të zeza, kanë filluar të dalin nga hapësira e rrethuar.

(r.m.)

Comment

*