Vuçiq: Nga Brukseli dhe Uashingtoni do të kërkoj të mos e lejojnë hapjen e Urës së Ibrit

Beograd, 24 gusht 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur përsëri të hënën për çështjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Gjatë një vizite në Rashkë, qytetin më të afërt me Kosovën, duke u përgjigjur në një pyetje për paralajmërimet e autoriteteve për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve, Vuçiq ka thënë se ka frikë se ura do të hapet prej 1 shtatorit. Ai ka thënë se nga Brukseli dhe Uashingtoni do të kërkojë të parandalojnë hapjen e kësaj ure për qarkullimin e automjeteve.

“Edhe unë kam frikë dhe të gjithë kanë frikë, prandaj do të lutemi dhe do të kërkojmë. Dhe përsëri do të telefonoj dhe nuk do ta kem të vështirë t’i telefonoj gjithkujt nëse më duhet të telefonoj edhe në Uashington, gjithkujt që mund të ndihmojë për këtë çështje, kujtdo që mund të ndihmojë. Fillimisht do t’u lutem njerëzve në Evropë të ndihmojnë. Nëse njerëzit në Evropë duan të ndihmojnë, nëse munden, do të ndihmojnë, Nëse nuk munden, do të telefonoj në Uashington. Do t’u lutem edhe atyre që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiq, transmeton televizioni shtetëror i Serbisë.

Të shtunën, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, do të kërkojë të marrë vendim për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Kurti tha se është absurd të dyshohet se hapja e urës do të ketë efekte negative për sigurinë në Mitrovicë. Ai tha se prej hapjes së dy urave të ndërtuara sivjet në të dy anët e Urës së Ibrit, jo larg saj, nuk ka ndodhur asnjë incident dhe kjo dëshmon se nuk ka asnjë arsye për shqetësime lidhur me situatën e sigurisë në Mitrovicë dhe mbarë Kosovën.

Në fillim të këtij muaji, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit dhe kalimin gradual të përgjegjësisë për sigurinë në këtë urë te policia e Kosovës. KFOR-i tha se ky vendim është marrë në bazë të vlerësimeve se situatë e sigurisë në Kosovë është përmirësuar dukshëm.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka kritikuar për këtë vendim komandatin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutash, me arsyetim se hapja e Urës së Ibrit paraqet rezik për komunitetin serb në pjesën veriore të Kosovës.

KFOR-i e ka qetësuar Beogradin, duke theksuar gatishmërinë për kthim të pranisë së pjesëtarëve të saj në urë, në qoftë se do të vlerësohet e nevojshme për sigurinë e të gjitha komuniteteve.

(r.m.)

Comment

*