Tiranë, 30 tetor 2026 – Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dekretoi datën 9 maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca thuhet se data e zgjedhjeve lokale u caktua nga presidenti Begaj pas konsultave që zhvilloi me përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate si edhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare nuk morën pjesë në konsultë.
Presidenca njoftoi se data 9 maj u sugjerua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve me arsyetimin se nevojitet më shumë kohë për përgatitjen e zgjedhjeve dhe se ky sugjerim “u parapëlqye gjithashtu nga Partia Socialdemokrate”.
“Me këtë rast, Presidenti i Republikës fton subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë në lartësinë e këtij procesi themelor demokratik…,” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Zgjedhjet lokale të 9 majit 2027 pritet të zhvillohen sërish në një klimë të tensionuar politike si pasojë e protestave 5-mujore antiqeveritare përmes së cilave po kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Zgjedhjet pritet të zhvillohen në 46 bashki të vendit, në përputhje me hartën e re territoriale të miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste, pavarësisht kundërshtimeve nga komunitetet lokale dhe përfaqësues të opozitës.
(r.m.)